Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të dërguar më shumë ndihma ushtarake në Ukrainë rrit rrezikun për një përplasje të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe Perëndimit.
Paralajmërimi erdhi nga ambasadori rus në SHBA, Anatoli Antonov. Ai foli për kërcënim imediat ndaj Moskës dhe i cilësoi Shtetet e Bashkuara si pjesëmarrëse në konflikt.
“Vendimi i administratës për të vijuar furnizimin e regjimit të Kievit me artileri të rëndë i jep Uashingtonit statusin e pjesëmarrësit në konflikt. Ne e perceptojmë këtë si një kërcënim urgjent ndaj interesave strategjike të vendit tonë. I bëjmë thirrje Uashingtonit të ndalë veprimet provokuese që mund të çojnë në pasoja më të rënda“, deklaroi ambasadori rus.
Më herët, Uashingtoni njoftoi ndihma të tjera ushtarake prej 625 milionë dollarësh për Ukrainën. Armatimet e avancuara amerikane janë konsideruar si thelbësore në kthimin e trajektores së luftës, me forcat e Kievit që kanë shënuar avancime të rëndësishme në verilindje dhe jug të vendit, javët e fundit. Pjesë e armatimeve në paketën e re, janë 4 sisteme të tjera raketore të precizonit të lartë, Himars.
