Rusia nis sulme të reja ajrore me dronë në Ukrainë

TË FUNDIT

Ukraina ka thënë se Rusia ka nisur sulme me dronë në disa rajone të shtetit përgjatë natës, pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale, ka bërë të ditur se ka lëshuar urdhërarrestim kundër presidentit rus, Vladimir Putin, për krime të supozuara të luftës.

Forca ajrore ukrainase ka thënë se Rusia ka nisur 16 sulme me dronë në orët e para të 18 marsit, dhe se 11 dronë janë rrëzuar nga sistemet ajrore për mbrojtje “në qendër, perëndim dhe lindje”.

Në mesin e zonave të shënjestruara ka qenë kryeqyteti, Kievi dhe rajoni perëndimor Lviv.

Serhiy Popko, udhëheqës i administratës ushtarake të Kievit, ka thënë se mbrojtja ajrore ukrainase ka rrëzuar të gjithë dronët që janë nisur drejt kryeqytetit ukrainas, derisa Maksym Kozytskiy, guvernatori i rajonit të Lvivit, ka thënë se gjashtë dronë kanë shënjestruar atë zonë, dhe tre janë rrëzuar.

Shefi i stafit të Presidencës ukrainase, ka thënë se tre zyrtarë të lartë amerikanë për siguri kanë mbajtur një takim virtual me homologët ukrainas, për të diskutuar për ndihmën ushtarake për Kievin.

“Kemi diskutuar për ndihmë të nevojshme për shtetin tonë, në veçanti pajisje lëvizëse, armë dhe municion”, ka thënë Andriy Yermak në një postim në Telegram.

Ndërkohë, presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale “është i justifikuar” dhe se Putini “qartazi ka kryer krime lufte”.