Rrugët në veriun e Kosovës mbeten të bllokuara, raportohet për incidente por pa dëme në njerëz

TË FUNDIT

Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit (EULEX) raportuan të dielën për incidente në veriun e vendit ku rrugët kryesore po mbahen të bllokuara nga grupe qytetarësh serbë.

EULEX-i tha se “një bombe tronditëse u hodh kundër një patrulle të këtij misioni” por pa dëme në njerëz.

“Ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve të policisë së Kosovës, janë të papranueshme. Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë ato kundër komunitetit ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e EULEX-it, në të cilin nënvizohet gatishmëria për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe sigurinë e qytetarëve.
“U bëjmë thirrje të gjithë atyre që janë përgjegjës të përmbahen nga veprime të tjera provokuese si dhe u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që autorët t’i sjellin përpara drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Sulmi u dënua edhe nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

“Shtetet e Bashkuara i bashkohen EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj një patrulle mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të japin llogari para sistemit të drejtësisë në Kosovë”, shkroi ambasadori Hovenier.
Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, shkroi se “Bashkimi Evropian nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it në Kosovë apo përdorimin e akteve të dhunshme kriminale në veri. Barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës. Duhet të rivendoset qetësia. EULEX-i do të vazhdojë të bashkërendohet me autoritetet e Kosovës dhe KFOR-in”, shkroi ai duke bërë thirrje për shmangie të përshkallëzimit të situatës.