Rrugë të bllokuara në mbarë vendin/ “Forcat regresive mundohen ta mos realizojmë ëndrrën për BE”

TË FUNDIT

Në ditën e shtatë të protestave kundër propozimit francez që mbahen para Qeverisë, Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE tha se pushteti nuk guxon t’i shesë interesat kombëtare të Maqedonisë, por ka për obligim t’i mbrojë ato.

“Sot fillojmë me bllokim të disa vendeve në Republikën e Maqedonisë. Populli i bëri thirrje Qeverisë dhe udhëheqësisë shtetërore që t’i thotë një “jo” ultimatumit. Të mos të përpiqet të shtyjë diçka në Parlament, ku ka makineri votimi nga një grup deputetësh të cilët e dimë se do të votojnë në përputhje me kërkesat e tyre.”- deklaroi Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.

BDI-ja vlerëson se protestat e dhunshme të këtyre ditëve janë tendenca për dezorientimin e vendit nga rruga evropiane, demaskim i qartë i forcave regresive që nuk kursejnë mjetet për të penguar vendin në realizimin e ëndrrës së integrimit.


“Çdo shprehje e dhunës nuk mund të frikësojë qytetarët, me të cilët bashkë në këto dy dekada ndërtuam themelet e një shoqërie të shëndoshë përmes Marrëveshjes së Ohrit të barazisë dhe respektit të ndërsjellë, Marrëveshjes së Prespës që na hapi dyert e NATO-s, zgjidhjes së kontestit për Autoqefalinë e Kishës Ortodokse të vendit.”- thanë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Pyetëm protestuesit nëse mendojnë se mund t’i ndryshojnë vendimet politike dhe çka do të ndodhë nëse i themi “jo” propozimit francez dhe vazhdojmë të qëndrojmë në izolim?!

-Tashmë e ndryshuan mendjen. Kishin plan që të bëjnë tradhti nacionale, tani pataten e nxehtë ia hodhën Kuvendit. Tashmë i arritëm qëllimet tona.

-Ne jemi të izoluar 30 vjet. Na gënjejnë me karotën, ndërsa po e “hamë” vetëm shkopin. Nuk ka logjikë që të frikësohemi edhe më tej.


-Nuk e di, unë kam frikë, prandaj po dal në këto protesta.

-Pse keni frikë?

-Të mos bëjnë siç bënë me Greqinë.


-Të respektohet vullneti i popullit, mbrojtja e identitetit maqedonas, historisë, kulturës dhe gjuhës. Ky shtet ka kapacitet që të dalë prej kësaj situate.

Bllokadat e sotme u përhapën në disa lokacione në vend si Pletvar, rruga Radovish-Strumicë, Veles-Shtip.

“MPB-ja rikujton për të drejtat dhe detyrimet që i parasheh Ligji për tubime publike. Sipas nenit 2-a nga Ligji “Tubim publik me qëllim që të shprehet mendim në mënyrë të qetë ose protestë”, nuk mund të mbahet në autostrada dhe rrugë magjistrale, me çka vihet në rrezik trafiku rrugor.”- thanë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Bllokadat kaluan qetë dhe pa incidente. Për shkak të festës së Kurban Bajramit, nesër nuk do të ketë protesta, por ato vazhdojnë menjëherë të dielën.