Rruga Kërçovë-Dibër si legjenda e Rozafës! Ditën gërryhet e natën shembet, duhej të kishte përfunduar në vitin 2023

TË FUNDIT

“Ndodhemi në rrugën Kërçovë-Dibër, kjo rrugë është 19km e gjatë dhe duhej të përfundonte në nëntor të vitit 2023 por siç mund të shihet ende nuk është përfunduar nga informacionet në terren mësojmë se ka pasur probleme me shembjen e dheut edhe rruga që është gërryer është shembur dhe po punohet për vendosjen e mureve anësore, andaj është zgjatur edhe afati i punimeve. Por a do të përfundojë në kohë ende nuk dihet”, raporton Salije Sadiku-Pinjolli – gazetare TV21.

TV21 kërkoi qëndrim edhe nga kompania “Ilinden” e cila e ka tenderin për ndërtimin e kësaj rruge. Na thanë se kanë hasur në vështirësi të mëdha gjatë punës.

“Po punohet por u shfaqën disa punë shtesë si me autostradën edhe atje probleme me rrëshqitjen e dheut, profesorët e fakultetit të ndërtimtarisë ishin në teren dhanë instruksione se si të veprohet tani po punojmë me ata instruksione, ka ndryshim projekti po vendosen mure mbrojtëse dhe më pas të asfaltohet deri në shkurt të vitit tjetër nëse nuk ka probleme tjera shtesë besoj të përfundojmë”, thonë nga Kompania “Ilinden”.

Për shtyrje të afatit të punimeve dhe për vështirësinë gjatë hapjes së rrugës tregojnë edhe nga NP”Rrugët Shtetërore”.

“Ndërtimi i rrugës rajonale R2246, pjesa Izvor (kryqëzimi me A2) – ura Garski, po zhvillohet në terren shumë të vështirë malor. Për shkak të vështirësive të papritura gjatë ndërtimit, lindi nevoja për punime shtesë gjatë ndërtimit, për rehabilitimin dhe mbrojtjen e shpateve të rrugës. Për shkak të përgatitjes së dokumentacionit teknik për zgjidhjet e reja teknike, do të ketë shtyrje të afatit për përfundimin e rrugës. Deri në këtë moment ecuria totale e punimeve është 67%”, theksojnë nga NP “Rrugët Shtetërore”.

Kjo rrugë do ta shkurtojë rrugën Kërçovë-Dibër nga 86km në 19km dhe do të jetë një lidhje e fortë mes dy qyteteve. Për këtë kontaktuam edhe kryetarin e Dibrës Hekuran Duka i cili tha se ne bazë të informacioneve të fundit që ka, po punohet me intensitet të ulët për shkak të shembjes së madhe të dheut. Vlera e këtij projekti është 23,74 milion euro të siguruara nga Ndërmarrja Publike “Rrugët shtetërore”.