“Rritja prej 2,9% është tepër optimiste”, reagime të shumta për propozim-buxhetin për vitin 2023

TË FUNDIT

Një sërë komentesh për propozim buxhetin për 2023. Në përgjithësi i njëjti vlerësohet si tepër optimist nga ana e opozitës dhe disa analistëve ekonomikë. Ekonomistët e Finance Think thonë se rritja prej 2,9% për vitin e ardhshëm është tepër optimist.

“Finance Think vlerëson se shkalla e projektuar për rritjen e BPV-së është optimiste dhe duket se e njëjta do të jetë më e ulët, ndërsa shkalla e projektuar për inflacion është e pasigurt dhe mund të pësojë shumë lëvizje në dy drejtimet (të jetë më e lartë ose më e ulët)”, thonë nga Finance Think.

Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së thotë se propozim buxheti për 2023 është jo zhvillimor dhe nxit inflacion.

“Nëse e shihni strukturën e BPV-së për tremujorin e tretë, do të shihni se ka ulje në të gjitha degët thelbësore: ndërtimtaria, tregtia, industria e përpunimit. Nëse e shihni prodhimtarinë industriale në tetor që është muaji i parë i tremujorit të katërt, do të vëreni se ka ulje për 5,3% krahasuar me tetor të vitit 2021, përsëri në tre degët thelbësore.  Jo vetëm se nuk do ta arrijmë rritjen e projektuar që së pari u projektua me buxhetin dhe pastaj edhe me rebalancin, por do të lëvizim tatëpjetë”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Megjithatë nga LSDM janë optimistë. Edhe sot rikujtuan se me buxhetin e 2023 do të kemi siguri, stabilitet dhe rrugë të re për rritje ekonomike.

“Në 10 muajt e fundit arritëm që ta shpëtojmë ekonominë e Maqedonisë në kohë të krizës më të madhe dhe t’u ndihmojmë qytetarëve dhe kompanive. Me politikat ekonomike për vitin e ardhshëm përmes buxhetit i kombinojmë masat kundër krizës për rritje ekonomike”, tha Darko Kaevski, LSDM.

Ndryshe me buxhetin per vitin 2023 për pensionistët janë paraparë 120 milionë euro më shumë se vitin e kaluar, 250 milionë euro për masat kundër krizës, 57,5 milionë euro për komunat, 63 milionë euro më shumë për shërbimet shëndetësore, 800 milionë euro për investime kapitale siç janë ujësjellës, rrugë, shkolla, çerdhe, 52,3%  më shumë të dalura kapitale se në vitin 2022. Rritje për 5% për rroga ku përfshihet edhe rritja e rrogës minimale.