Rritja e pagës së zyrtarëve për një përqindje të lartë që është 78% do të ndikoj në demotivimin e punëtorëve nga sektorët tjerë, si dhe në ikjen edhe më të madhe të të rinjve nga vendi. Kështu vlerëson ekonomisti Visar Ademi, i cili thotë se Shkupi do të vërshohet nga protestat nga palët e pakënaqura, të cilët do të shfrytëzojnë rastin të kërkojnë rritje page. Ndërkaq si¬ç vlerëson Ademi, funksionarët nuk e kanë arsyetuar këtë rritje ngaqë nuk është ulur korrupsioni në vend.
“Unë besoj se këto sektorë që nuk preken nga rritja të ikin, pra të rinjtë.
Zakonisht rritjet e pagave kur bëhen qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privatë, lidhen me produktivitetin e punonjësve. Tani produktiviteti i vetëm te ne është ulja e korrupsionit, në qoftë se ata do ta ulin korrupsionin dhe do të fokusohen te paga, atëherë justifikohet kjo rritje e pagës, por në qoftë se korrupsioni vazhdon me shifra të larta atëherë mendoj se nuk ka kuptim për këtë pagë të lartë. Në një shtet në të cilin borxhi publik po e rëndon me të madhe dhe kalon 45% e GDP, besoj se çdo lloj rritje do ta rëndoj edhe më shumë pushtetin.”- deklaroi Visar Ademi – Ekonomist.
Përveç zyrtarëve nga muaji mars paga më të larta do të marrin edhe punëtorët shëndetësor mirëpo jo për 78% por për 5 deri në 12%, po ashtu do të rriten edhe pensionet për 8.4%. E rritje pagash po kërkon edhe sektori i Kulturës që tashmë nja javë po protestojnë. Mirëpo a ka kapacitet financiar shteti për të gjitha këto rritje?
“Ka dy lloj mënyra ose duhet të shtyhet edhe më shumë sektori privat, të rriten taksat dhe tatimet edhe që të mund të merren para nga ekonomia e zezë dhe integrimi i këtyre kompanive drejt formalizimit të bizneseve të tyre ose të vazhdohet edhe më tutje politika e huazimeve, sepse Maqedonia krijon një varshmëri të madhe. Në vit elektorat siç jemi ne me zgjedhjet presidenciale besoj që më tepër do të lidhet alternativa e dytë sepse ata nuk do të duan që të mund të rriten taksat sepse do të kishte qenë jopopullore për një qeveri e cila po pretendon ta fitojë edhe një herë mandatin.”- tha Visar Ademi – Ekonomist.
Nga Qeveria thonë se po shqyrtohet mundësia për uljen e koeficientit për përllogaritjen e pagave të personave të emëruar për të cilët ka mundësi ligjore, me qëllim që të mos ngarkohet buxheti. Shtojnë se është duke u punuar në marrëveshje kolektive dhe në Ligjin për paga, me të cilin siç thonë do të mundësohet zgjidhje sistemore e rritjes së pagave në vend. Pyetëm edhe në Ministrinë e Financave por nuk morëm përgjigje.
