Vetëdija për virusin HPV po rritet por jo në nivele të kënaqshme vlerëson Asociacioni i gjinekologëve. Rreth 99 për qind e rasteve të kancerit të qafës së mitrës lidhen me infeksionin afatgjatë nga tipat me rrezik të lartë të HPV-së.
Në vendin tonë kanceri i qafës së mitrës është ndër sëmundjet malinje më të shpeshta tek gratë. Çdo vit regjistrohen rreth 150 deri në 170 raste të reja, me një incidencë prej rreth 20 raste në 100.000 gra, shifër kjo më e lartë se standardet evropiane. Shqetësues mbetet fakti se sëmundja diagnostikohet edhe tek gra të reja.
“HPV për herë të parë është studiuar nga kanceri i qafës së mitrës, shkakton edhe një numër të madh sëmundjesh siç janë para-malinje dhe malinje të vaginës, të vulvës, anusit, penisin tek burrat, ndërsa kohës së fundit po zbulohet shumë e më shumë se disa nga sëmundjet, si kanceri në qafë dhe kokë shkaktohen nga HPV”, tha Goran Dimitrov – Kryetar i Shoqatës për HPV.
Përfshirja me vaksinim në vend është rreth 55 për qind, dukshëm më e ulët se niveli i rekomanduar prej 90–95 për qind për të arritur mbrojtje kolektive. Gjinekologu thotë se vaksina rekomandohet për vajzat dhe djemtë adoleshentë dhe ofron mbrojtje afatgjatë ndaj tipave më të zakonshme me rrezik të lartë
“Nga shumë vite me rrallë kur kemi pasur 66% përfshirje, disa vite përqindja e vaksinimit ka rënë në 35-40%. Vitin e kaluar mendoj se ishim diku rreth 55%”, theksoi Goran Dimitrov – Kryetar i Shoqatës për HPV.
Përveç vaksinimit, kontrollet e rregullta gjinekologjike janë thelbësore. Testi PAP dhe testimi për HPV mundësojnë zbulimin e hershëm të ndryshimeve para-kanceroze, kur trajtimi është i thjeshtë dhe shumë i suksesshëm. Duke qenë se infeksioni shpesh nuk jep simptoma, mjekët theksojnë rëndësinë e kontrolleve të rregullta edhe kur personi ndihet i shëndetshëm. Përndryshe, 4 marsi është Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Virusin Human Papilloma (HPV).
