Rriten kërkesat për ndihmë në shoqatat humanitare, shumë qytetarë kërkojnë ushqime dhe mjete higjienike

TË FUNDIT

Efekti i situatës së jashtëzakonshme si duket ka rritur numrin e qytetarëve të cilët kërkojnë ndihmë në organizatat humanitare. Këto të fundit thonë se gjatë javëve të fundit një fluks i madh i qytetarëve kanë trokitur në derën e tyre.

Rufat Sherifi nga Organizata Humanitare “Kalliri i Mirësisë” thotë se kanë filluar një aksion të dytë për shpërndarjen e pakove, meqenëse kërkesat janë të shumta.

“Kërkesat në kohën e fundit janë shtuar dhe kemi kërkesa të pandërprera dhe kemi porosi në facebook të dërguar nga qytetarët që kërkojnë që t’i mbështesim. Numri i tyre është rritur dhe se kërkesat janë më të mëdha. Kjo gjë na bëri që të ndërmarrim aksionin e dytë që ne të përgatisim edhe 500 pako me artikuj ushqimor të cilët po thuajse në një mënyrë do të plotëson nevojat e atyre që na paraqiten”, Rufat Sherifi – Kalliri Mirësisë.

Jasmin Rexhepi nga organizata humanitare “Legis”, thotë se disa prej qytetarëve kërkojnë ndihmë që tu ndihmojmë të paguajnë edhe qiranë e banesave, meqenëse janë në gjendje të rëndë javëve të fundit.

“Në këtë moment organizata humanitare Legis, po përballet me një numër të madh të qytetarëve që kërkojnë ndihmë. Sigurisht për shkak të krizës dhe kemi apeluar që donatorët të na ndihmojnë që tu dalim në ndihmë qytetarëve tanë.

Ajo që më shumë që kërkohet është material higjienik dhe ushqim. Ka edhe nga ato që kërkojnë që të paguajnë qiranë meqenëse nuk kanë për ta paguar”,tha Jasmin Rexhepi, Legis .

Edhe nga Organizata për persona me nevoja të veçanta “Sos Vita” thonë se nesër do të shpërndahen pako ushqimore për personat me nevoja të veçanta.

“Ne si shoqatë kemi bërë gati 100 pako. Nesër do të shpërndahen për familjet skamnore dhe për ata persona me nevoja të veçanta”, tha Ertan Shaqiri, Sos Vita.

Shoqatat apelojnë deri te donatorët që me mundësi, të ndihmojnë në këto kohë krize, që asnjë qytetarë të mos mbetet pa ushqim dhe gjëra elementare për jetë.