Rrëshqitjet e dheut në rrugën e Banjës! Qytetarët ndihen të rrezikuar, komuna e Tetovës pret mot më të mirë

TË FUNDIT

Çdoherë kur ka të reshura të shiut apo borës, rruga e Banjës në Tetovë është në këtë gjendje.

Këta gurë dhe dheu  janë rrezik edhe për qytetarët që kalojnë në këtë pjesë.

Ata thonë se ndjehen të rrezikuar dhe kërkojnë nga autoritete të marrin sa më parë.

 “Normal është shumë rrezik se kjo është rrugë që frekuentohet për shkaqe shëndetësore, por edhe sportistë. Kjo është shumë e rrezikshme, ja e shikon si ja dëmtoi veturën. Edhe kur është koha me lagështi bëhen vërshime, gurët bien, dheu rrëshqet, gjëra që edhe jetën e rrezikojnë dhe duhet njëherë e përgjithmonë të marrin masa institucionet që ta rregullojnë.”

“Duhet mur ose rrjetë të ketë, por tani s’ka buxhet komuna çka të bëje. Disa herë më ka ndodhur mua, veturës i ka rënë, unë kalova guri doli, është rrezik, por në bazë të mundësisë. Ka mjete le të rregullon diçka, s’ka pse pret nga dikush.”

Në tetor të vitit të kaluar nga komuna e Tetovës na thanë se projekti shumë shpejtë do të realizohet, por punimet nuk kanë nisur. Sipas kryetarit të këshillit komunal, projekti tash më është fituar nga UNDP dhe punët do të rifillojnë me përmirësimin e  kushteve atmosferike.

 “Ashtu siç ju kanë informuar në tetor të gjitha procedurat kanë qenë në përfundim, ku projekti ka qenë i fituar dhe i programuar nga UNDP-ja. Është hapur edhe prokurim publik ku firma ka qenë duke punuar, por për shkak të kushteve atmosferike, mbikëqyrësi i caktuar nga UNDP-ja, dha urdhër që punët të ndërpriten deri sa të vijnë kushte më të volitshme klimatike që të punohet. Muri mbajtës aty është projekt i fituar dhe do të jetë 120 metra i gjatë dhe katër metra i lartë”, tha Besar Durmishi- kryetar i Këshillit Komunal.

Banja e Tetovës është i njohur për ujin e saj mineral, ndërsa nga shumë qytetarë shfrytëzohet edhe për vrap. Rruga në këtë  zonë është e rregulluar, por rrëshqitja e dheut  rrezikon qytetarët sidomos në këtë periudhë kohore.

error: Content is protected !!