Rolando Maran do ta zëvendësojë Sylvinhon! Kombëtarja e Shqipërisë me trajner të ri

TË FUNDIT

Rolando Maran do të jetë trajneri i ri i Kombëtares shqiptare të futbollit, me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, që ka vendosur t’i besojë edhe një herë një tekniku italian drejtimin e stolit kuqezi.

Italia vijon të mbetet pika kryesore e referimit për Dukën sa i përket zgjedhjeve në stolin e Kombëtares. Pas emrave si Gianni De Biasi, Christian Panucci dhe Eddy Reja, tashmë radha i takon Maran, i cili pritet të marrë vendin e Sylvinho në krye të përfaqësueses shqiptare.

“E kam ndjekur nga afër Kombëtaren Shqiptare dhe për këtë keni të gjithë komplimentet e mia”, theksoi Maran në fjalët e para gjatë prezantimit.

“Falënderoj presidentin që më jep mundësinë që të drejtoj një skuadrën kombëtare të një populli me zemër të madhe. Premtimi është që dashuria për Kombëtaren të reflektohet në fushë. Për mua është impenjim moral që ndërmarr. Të transferojmë në fushë atë që ndjeni ju”.

Tekniku 62-vjeçar nuk cilësohet një profil “big” në futbollin italian, por ka ndërtuar një karrierë solide dhe të gjatë, kryesisht mes Serie A dhe Serie B. Eksperienca e tij e fundit ishte me Brescia Calcio gjatë sezonit 2024/25, klub nga i cili u largua në korrik të vitit 2025. Brescia ka një domethënie të veçantë për Maran, pasi aty nisi edhe karrierën si trajner profesionist në vitin 2005.

Gjatë rrugëtimit të tij në futbollin italian, Maran ka drejtuar disa skuadra të njohura si Genoa CFC, Cagliari Calcio, AC ChievoVerona, Calcio Catania, Pisa SC, AS Bari dhe AS Cittadella.

Karriera e tij mori vëmendje të madhe në vitin 2012, kur mori drejtimin e Catanias në Serie A. Aty realizoi sezonin më të suksesshëm të karrierës, duke e mbyllur kampionatin në vendin e tetë me 56 pikë në 38 ndeshje – rekord historik për klubin sicilian në elitën italiane.

Deri në vitin 2020, Maran qëndroi aktiv në Serie A, ndërsa më pas u rikthye në Serie B, fillimisht me Pisa-n dhe më vonë me Brescia-n. Edhe pse nuk ka drejtuar kurrë një kombëtare, FSHF duket se beson te eksperienca e tij në menaxhimin e skuadrave dhe njohja e futbollit italian për të nisur një cikël të ri me Shqipërinë.

Me emërimin e tij, Maran bëhet trajneri i pestë italian që merr drejtimin e Kombëtares shqiptare, duke vijuar traditën e krijuar nga Federata shqiptare ndër vite.