Kompania “Best Uej Investment” kumtoi se ka siguruar 5.300 teste për konfirmimin e Kovid-19, në vlerë prej 3.095.730 denarë (50.000 euro) për nevojat e Ministrisë së Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut. Testet janë prodhim i kompanisë amerikane “Abbott Molecular inc”, e cila është një prej pionierëve të kësaj fushe në botë.
Përmes këtyre testeve, siç theksohet, mund të identifikohen personat të cilët kanë imunitet në Kovid-19.
Testet, gjithashtu e identifikojnë praninë e koronavirusit me 100 për qind ndjeshmëri të njerëzve të cilët janë të infektuar, si dhe të atyre të cilët kanë qenë të infektuar, ndërsa të cilët kanë pasur simptoma të lehta ose nuk kanë pasur aspak. Këto teste janë risi dhe janë të paratë të cilat arrijnë në shtet. Deri më tani Amerika, Anglia, Izrali dhe vende tjera kanë porositur më shumë se 30 milionë copë nga ky test, theksojnë nga kompania.
