RMV ende nuk ka siguruar vaksina për linë e majmunit! Qytetarët thonë se nuk do të vaksinoheshin

TË FUNDIT

Mbi 900 raste të lisë së majmunit janë regjistruar në tërë Evropën. TV21 pyeti qytetarët se a do të vaksinoheshin për t’u mbrojtur nga kjo sëmundje. Shumica ishin kundër, e disa të tjerë thanë do të imunizoheshin edhe kundër këtij virusi.
-Unë asnjëherë nuk do të vaksinohem, unë jam vaksinuar në ‘71, në klasë të parë, nëse doni ua tregoj dhe që atëherë më ka marrë fund. Edhe në ushtri një vaksinë kaq e kemi marrë dhe mjaftueshëm, nuk vaksinohem më. E për Covid a jeni vaksinuar? Jo, jo, për Covidin e rrejshëm, plan-demia që ishte.

-Jo, jo nuk i besoj asaj, kjo është periodike, nuk e di çfarë të them sipas mjekësisë, nuk ka nevojë për vaksinim, të gjitha sëmundjet vijnë nga truri.

-A do të ishe vaksinuar për këtë sëmundje?
-Po, normal isha vaksinuar.
-A jeni pro vaksinimit?
-Po.
-E për covidin a jeni vaksinuar?
-Po i kam marrë tri.

-Nuk besoj.
-Nuk besoni në vaksina ose sëmundje?
-Në asgjë nuk besoj.
-Për covid a jeni vaksinuar?
-Jo, nuk kam asgjë.

-A do të merrni vaksinë për këtë sëmundje?
-Jo.

-Paj po, do të duhej që të vaksinohemi.

Zëdhënësi i Komisionit për sëmundje ngjitëse, Zllate Mehmedoviq, thotë se në vendin tonë nuk ende asnjë rast të dyshimtë me linë e majmunit, por shtoi se duhet të jemi të kujdesshëm dhe mos t’ia lëmë punën rastësisë.

“Edhe atëherë thamë se rekomandimet janë që të përgatitet sistemi shëndetësor sa më mirë, që të mund të ballafaqohemi me paraqitjen eventuale të lisë së majmunit në vendin tonë. Është me rëndësi daignostifikimi dhe testet që do të shërbenin për detektim më të lehtë për përcaktimin e diagnozës së lisë së majmunit, kemi dhënë rekomandim edhe që të blihen edhe vaksina dhe ilaçe që nëse kemi paraqitje të pacientëve pozitivë, sepse rekomandimet në botë janë që kontaktet e para të vaksinohen në katër ditët e para dhe të izolohet rrethi, pra ata që janë të infektuar, që të mos vazhdohet procesi i infektimit te persona të tjerë”, deklaroi Zllate Mehmedoviq, zëdhënësi i KSI.

Para rreth katër javësh Komisioni për sëmundje ngjitëse i propozoi Ministrisë së Shëndetësisë që të sigurojë teste për detektimin e lisë së majmunit dhe vaksina për mbrojtje nga kjo sëmundje. Ndonëse të infektuarit dhe kontaktet duhet të vaksinohen në katër ditët e para të infeksionit, nga Ministria e Shëndetësisë na thanë se ende nuk kemi vaksina.


“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Organizatën Botërore të Shëndetësisë për rekomandimet për vaksinat dhe testet PCR, me qëllim sigurimin e tyre në kohë, në rast se kjo sëmundje paraqitet në vendin tonë”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Në takimin e ministrave të Shëndetësisë ditën e martë, Komisioni Evropian deklaroi se është koha për vaksinim dhe do ta bëjë këtë në mënyrë të përbashkët. Është arritur marrëveshje për të blerë rreth 110 mijë vaksina, që do të shpërndahen në vendet anëtare, me ngarkesat e para që do mbërrijnë në fund të qershorit. Ato do të jenë në dispozicion të qeverive që duan të vaksinojnë kategoritë më të rrezikuara nga infektimi, ose ata persona që janë infektuar tashmë”, u shpreh Stella Kyriakides, komisionere e BE-së për Shëndetësinë.