Rivaksinimi me AstraZeneca pas 3 muajsh, do të përfshihen edhe qytetarët që u vaksinuan në Serbi, tha Filipçe

TË FUNDIT

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka njoftuar, se gjatë muajit prill pritet të arrijë edhe sasia tjetër e vaksinave AstraZeneca që u siguruan nga mekanizmi Kovaks.

Me këto, vaksina pritet të kryhet rivaksinimi i qytetarëve që do të vaksinohen me sasinë e parë të këtyre vaksinave që arritën të dielën në vendin tonë.

Këtu, siç njoftoi Filipçe, do të përfshihen edhe qytetarët që z vaksinuan në Serbi gjatë fundjavës.

“Tashmë kemi paralajmërim se sasia tjetër e vaksinave do të arrijë gjatë muajit prill. Ato janë diku 100 mijë që duhet të arrijnë në vendin tonë. Gjatë mëngjesit kam folur me kolegun serb, të cilët duhet të na japin informacion elektronik për qytetarët tanë të cilët janë vaksinuar. Kjo që të jenë në evidencë dhe t’i planifikojmë për rivaksinim. Kështu që qëndrimi është, se rivaksinimi me AstraZeneca bëhet pas 3 muajsh, ndërkaq nuk është si me vaksinat tjera që ndodh pas 3 javësh”, tha Filipçe, transmeton TV21.

Ndërkaq, sa i takon 70-vjeçarëve që duhet të vaksinohen me sasinë që arriti dje, tha se gjatë ditëve në vijim do të mësohet koha dhe vendi i saktë.

“20 mijë qytetarë janë paraqitur, dhe ndaj të njëjtëve, do të dërgohet njoftim me kohën dhe vendin e saktë se kur do të vaksinohen”, tha Filipçe.

Ndërkohë, ka hedhur poshtë si të pavërteta informacionet se ka ministra që janë vaksinuar kundër Covid-19. Filipçe kritikoi opozitën VMRO-DPMNE, e cila sipas tij, “nuk ndihmon në luftën ndaj pandemisë, por shpërndanë dezinformata”./TV21