Ky është objekti i ri i çerdhes “Rilindja” në Tetovë, e cila ishte paraparë të nisë me punë në shtator, por ka rrezik që të mos fillojë me kapacitet të plotë. Kjo për shkak se Ministria e Financave nuk ka paraparë buxhet për punësimet e reja që duhet të bëhen që çerdhja të funksionojë. Mund të ketë punësime vetëm për aq personel sa kanë dalë në pension, numër që nuk i plotëson plotësisht kapacitetet e çerdhes.
“Me buxhetin apo bllok-donacionin që na është shpërndarë nuk kemi mundësi për punësime të reja dhe pse kemi kërkuar nga Ministria për Punë dhe Politikë sociale mirëpo nuk ka paraparë Ministria Financave për këtë vit kalendarik mjete për punësime të reja dhe mendoj se me marrjen e pëlqimit për këtë kuadër që na është pensionuar të fillojmë më çerdhen e re nuk do të jetë e hapur fillimisht me gjithë kapacitetin pasi që nevojitet një kuadër sa më i madh për funksionim të asaj çerdhe, e cila ka një kapacitet prej 153 fëmijë”, tha Nazmi Dauti, sektori për Arsim i Komunës së Tetovës.
Nga komuna e Tetovës thonë po ashtu se nga ministria u ka premtuar punësime të reja për vitin 2025, gjë që do të bënte që kjo çerdhe të punojnë me kapacitet.
“Nga ana e Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale na është premtuar se këto financim për personalin që janë pensionuar do të na jepen dhe më bllokdonacionet që do në jepen do të parashohin dhe punësime të reja në vitin 2025”, shtoi Dauti.
Çerdhja “Rilindja” është ndërtuar me mjete të Bashkimit Europian, ndërsa ka një kapacitet për 153 fëmijë, për të cilët do të duhet të punësoheshin rreth 30 veta, përfshirë përkëdhelëset dhe personelin për mirëmbajtjes së higjienës.
