Rikonstruktim i Spitalit Klinik të Tetovës! Klekovski e Kasami: Spitali gati për rindërtim dhe zgjerim

TË FUNDIT

Rreth 74 milionë euro pritet të investohen në Spitalin Klinik të Tetovës, në një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore shëndetësore për rajonin e Pollogut. Projekti parashikon rindërtimin dhe modernizimin e bllokut kirurgjik dhe atij internistik, ndërtimin e tri objekteve të reja – përfshirë një pavijon të veçantë për Gjinekologji, Obstetrikë dhe Neonatologji – si dhe pajisjen me teknologji moderne mjekësore.

“Këtu jemi me ekipin e terrenit të Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane të Investimeve, me të cilët do të kalojmë nëpër planet teknike, mundësitë, strukturën dhe do t’i finalizojmë të gjitha dokumentet që na nevojiten për fillimin e furnizimit publik, gjegjësisht tenderit për ndërtim”, tha Sasho Klekovski.

Përgatitjet teknike nga ana e spitalit tashmë kanë përfunduar. Drejtori Erzen Elezi bëri me dije se grupi punues ka kompletuar projektimin për ndërtesat e reja dhe rinovimin e atyre ekzistuese.

“Ashtu, nga ana jonë nga Spitali Klinik i Tetovës janë bërë të gjitha përgatitjet si projektimi, grupi punues ka bërë punën e vet për projektin e tre ndërtesave të reja dhe dy ndërtesave… ekzistuese për rinovim”, deklaroi Erzen Elezi.

Punimet do të nisin menjëherë pas përmbylljes së procedurave administrative. Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, u zotua se do të angazhohet që projekti të jetë sa më parë funksional.

“Kjo edhe njëherë dëshmon se projektet e rëndësishme kapitale të kësaj qeverie nuk merren se kush është ministër, kush vjen e kush shkon. Përkundrazi, tani më me ministrin e ri, bashkë me ekipin e Bankës Botërore kemi dalë në terren dhe nga sot edhe formalisht nis procedura e… realizimit të një projekti do kisha thënë më të rëndësishmit për këtë pjesë të Maqedonisë, pra për Tetovën, Pollogun dhe për pjesën perëndimore të Maqedonisë”, tha Bilall Kasami.

Me përfundimin e këtij investimi, më shumë se 250 mijë banorë të rajonit të Pollogut do të marrin shërbime më të shpejta e cilësore, duke ulur kohën e pritjes dhe duke shmangur dërgimin e pacientëve drejt klinikave të Shkupit.