TCH: Egjipti shpalli organizatë terroriste forumin në Maqedoni, që drejtohet nga Muhamet Murtezi

TË FUNDIT

E PËRDITËSUAR: Muhamed Murtezi përgënjeshtron lajmin e TCH se është drejtues i FRI-së

Egjipti ka shpallur organizata terroriste 35 institucione dhe shoqata islamike që veprojnë në disa vende të Evropës, mes tyre edhe Forumin Rinor Islamik në Maqedoninë e Veriut, që sipas Top Channel, drejtohet nga Muhamet Murtezi.

Sipas vendimit të Gjykatës Penale të Kajros, në listën e organizatave terroriste janë përfshirë edhe 36 individë. Vendimi është marrë më 10 nëntor 2026 dhe parashikon që klasifikimi të jetë në fuqi për pesë vjet.

Muhamet Murtezi aktualisht është kryetar i Këshillit të Komunës së Çairit, ndërsa në zgjedhjet lokale të tetorit 2025 ishte pjesë e listës së këshilltarëve të VLEN-it në këtë komunë.

Në listën e Egjiptit janë përfshirë edhe Këshilli i Myslimanëve Evropianë, Këshilli Evropian për Fetva dhe Kërkime, Këshilli Evropian i Imamëve, si dhe organizata të tjera islamike në Britani, Francë, Gjermani, Zvicër, Suedi dhe Itali.

Sipas Top Channel, vendimi bazohet në ligjin egjiptian për listimin e organizatave terroriste dhe parasheh pasoja si ngrirja e aseteve, ndalimi i financimit dhe kufizimi i aktiviteteve të organizatave të përfshira.

Shënim: Klasifikimi është vendim i autoriteteve gjyqësore egjiptiane dhe nuk nënkupton automatikisht se organizatat janë shpallur terroriste edhe nga institucionet e Maqedonisë së Veriut apo Bashkimit Evropian.