Me ribalancin e fundit, buxheti për vitin 2022 do të jetë diku rreth 4.6 miliardë euro. Ribalanci ka për qëllim rikuperimin e plotë të ekonomisë nga pandemia, por edhe për mbështetjen e qytetarëve në kulmin e krizës globale. Ministri i Financave Fatmir Besimi ka prezantuar detajet rreth propozim-buxhetit plotësues për vitin 2022.
“Me këtë ribalanc sigurojmë shtesë 76 milionë euro për masa për mbrojtje për standardin e qytetarëve dhe përkrahje të ekonomisë. Këto mjete janë mbrojtje dhe rezervë dhe në rast nevoje do të hyjnë pako të reja të masave. Me këtë ribalac sigurojmë 52 milion euro për subvencione për bujqit, sigurojmë mjete për rritjen e pensioneve, për rritjen e pagës së arsimtarëve dhe subvencione për rritjen e pagës minimale”, tha Fatmir Besimi, ministër i Financave.
Shteti këtë vit do të marrë gjithsej 900 milionë euro hua brenda dhe jashtë vendit, bëri të ditur ministri Besimi. Paratë do të kërkohen për të mbuluar borxhet e vjetra dhe boshllëkun buxhetor prej gati 700 milionë euro. Qeveria shpreson se pjesa më e madhe e parave do të merret hua nga FMN (Fondi monetary ndërkombëtar) me norma të ulëta interesi, por ende nuk dihet se sa do të jenë në dispozicion.
“Sa i përket huasë, ajo bëhet për pagesën e borxheve, brenda dhe jashtë vendit janë diku 11. 8 miliardë denarë apo përafërisht 200 milionë euro. Tjerat janë për mbulimin e deficitit që siç përmenda është 42.7 miliardë denarë apo 696 milionë euro, kjo është huaja. Do të vëreni edhe se ky buxhet ka sasi më të madhe, këto 700 milion nga deficiti janë për mbulmin e depozitave të shtetit, apo thesarit në Bankën popullore”, shtoi Besimi.
Shpenzimet kapitale janë planifikuar në vlerë prej 32,2 miliardë denarë, rreth 6 miliardë denarë më pak krahasuar me planin për vitin 2022. Projektet kapitale të planifikuara fillimisht janë reduktuar për 95 milionë euro dhe për realizimin e tyre janë ndarë 520 milionë euro. Sipas VMRO-DPMNE-së, ribalancimi do të thotë vazhdim i kaosit ekonomik dhe kolapsit.
“Reduktimi i investimeve kapitale dëshmon se kjo qeveri nuk ka as plan e as vizion se si mund të dalë Maqedonia nga kriza ekonomike, për të cilën është përgjegjëse. Rebalanci ka edhe qindra milionë euro kosto joproduktive, prej të cilave vetëm një pjesë është shkurtuar”,thonë nga VMRO-DPMNE.
Me ribalancin e buxhetit, pritjet e Qeverisë janë që ekonomia e Maqedonisë këtë vit të mbyllet me rritje prej 3,2% të Prodhimit Bruto Vendor, ose 1,4 % më të ulëta se sa ishte planifikuar fillimisht. Norma e inflacionit do të arrijë në 7.2 % të Prodhimit Bruto Vendor.
