Zëvendës ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi njoftoi se Ministria e Transportit dhe Lidhjeve është duke përgatitur ndryshim e Ligjit për Banim.
“Ligji i miratuar për strehimin tashmë ka pësuar disa ndryshime. Në zbatimin e ligjit në praktikë vihet re një farë disekuilibri në marrëdhëniet mes pronarëve të banesave dhe menaxherëve, gjë që padyshim kërkonte përshtatjen dhe përmirësimin e rregullativës aktuale. Dhe mund të përmend se ne në Ministri tashmë jemi duke punuar për ndryshim të ligjit në drejtim të përshtatjes së dispozitave për saktësinë e tyre të aplikimit, sepse në fund të ditës me këtë do ta bëjmë më të lehtë për qytetarët që jetojnë në objekte banimi kolektive, dhe nga ana tjetër menaxherët do të kenë një qasje më të mirë në kryerjen e detyrave të tyre, theksoi Rexhepi.
“Siç e përmenda edhe herën e kaluar, presim që deri në muajin maj të përgatisim propozim ligjin dhe menjëherë pas miratimit të tij nga Qeveria ta dërgojmë në Kuvend për shqyrtim. Shpresojmë që me hartimin e një zgjidhjeje ligjore të përmirësuar, do të mundësohet tejkalimi i dukshëm i problemeve me të cilat përballen qytetarët në praktikë çdo ditë, si dhe plotësimi i boshllëqeve ligjore ekzistuese në legjislacion, gjë që do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë dhe do të avancojë standardet e të jetuarit së bashku”, përfundoi Rexhepi.
