Një seri sulmesh nga pala bullgare pas deklaratës së djeshme të kryeministrit Mickoski, si dhe pas thirrjes së ambasadorit bullgar në vend nga MPJ-ja e Maqedonisë dhe dorëzimit të notës së protestës për quajtjen e Mickoskit “kryeministër maqedono-verior”. Nga MPJ-ja e Bullgarisë jo vetëm që nuk kërkuan falje për përdorimin e këtij termi, por akuzuan se autoritetet maqedonase vazhdimisht e sulmojnë Bullgarinë me fyerje dhe se ata nuk do të tolerojnë sulme dhe, siç thonë, minimin e qëllimshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
“MPJ-ja e Bullgarisë e dënon fuqishëm gjuhën e papranueshme dhe fyese që përdori zoti Hristijan Mickoski. Përdorimi i përsëritur i epiteteve vulgare ndaj përfaqësuesve të shtetit bullgar jo vetëm që minon besimin tashmë të brishtë mes vendeve tona, por vë në pikëpyetje edhe përkushtimin autentik të udhëheqjes politike në Maqedoni ndaj Marrëveshjes për Miqësi si dhe ndaj dëshirës së shpallur për anëtarësim në BE”. thonë nga MPJ-ja e Bullgarisë.
Në të njëjtën kohë, edhe kryeministri bullgar Rosen Zheljaskov reagoi dhe kërkoi nga Mickoski të kërkojë falje.
“Narrativi dhe mënyra e shprehjes së kryeministrit Mickoski do t’ua lë njohësve të Ezopit. Qëndrimi ynë parimor është se Republika e Maqedonisë së Veriut duhet t’i përmbahet konsensusit të arritur në vitin 2022 dhe të përmbushë obligimet që i ka marrë vetë. Kolegu Mickoski duhet të gjejë mënyrë për të kërkuar falje”, deklaron Zheljaskov.
Kryeministri Mickoski dje, në reagimin e tij ndaj ministrit të Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Georg Georgiev, i cili e quajti “kryeministër maqedono-verior”, theksoi se bëhet fjalë si për raportin mes miut dhe luanit.
“Ai djali është dërguar për të tërhequr vëmendjen time, mendoj se nuk duhet t’i japim mundësi dhe apeloj edhe te ju mediat – lëreni atë djalin atje. Ajo është një qeveri që në prapavijë drejtohet nga dikush tjetër, ata njerëz duhet të realizojnë një detyrë, i kanë thënë – hajde tani provoko. Është njësoj si kur miu ngacmon luanin”, thotë Mickoski.
Ashpërsimi i retorikës mes Maqedonisë dhe Bullgarisë u rrit pas largimit të identitetit dhe gjuhës maqedonase nga Raporti i Parlamentit Evropian me kërkesë të eurodeputetëve bullgarë.
