Reshjet e shiut, institucionet marrin masa! QMK: Pastruam kanalet ku situata mund të jetë kritike

TË FUNDIT

“Vlerësimin që e bëjmë, vlerësimin për rrezik dhe cenim të vendit, brenda disa javësh duke llogaritur prej tani, ndoshta për një muaj do të ketë vërshime në Maqedoni. Duke parë nga aspekti statistikor, zakonisht pas thatësirave të këtilla, vijojnë vërshime. Kjo nuk do të thotë se do të ketë vërshime, por që tani i paralajmëroj kryetarët dhe të gjithë ata që menaxhojnë me kanalizimet t’i përvjelin mëngët dhe t’i pastrojnë”, pati deklaruar më 16.09.2021, drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov në ClickPlus.

Këtë drejtori i QMK-së e paralajmëroi qysh para një muaji. Siç duket parashikimi i tij u bë realitet. Mot me shi na ka shoqëruar ditëve të fundit, dhe kështu pritet të jetë deri në fund të javës së ardhshme. Por çka ndërmarrin institucionet në këtë drejtim?

Qendra për Menaxhim me Kriza po e ndjek situatën për ndonjë krizë eventuale të vërshimeve. Sipas drejtorit Stojance Angellov janë pastruar disa prej kanaleve atmosferike ku mendohet se situata mund të jetë kritike.

“Vetëqeverisja lokale i ka të dhënat dhe i din pikat kritike, dhe apelojmë që të vazhdojnë me pastrimin ku mendojmë që në këtë moment situata është stabile dhe kanalet janë pastruar në mënyrë solide por të vazhdohet me pastrimin e kanaleve”, tha ai.

Edhe gjatë ditëve në vijim do të kemi reshje të shiut, ndërsa me uljen e temperaturave në vendet malore mund të ketë edhe reshje të borës së parë, thotë meteorologu Slavço Popovski.

“E gjitha kjo për shkak të lagështisë ajrore që ka kapluar vendin tonë ka sjell reshje më intensive të shiut, si dhe ulje të temperaturave të ajrit. Moti jostabil dhe me reshje të shiut do të jetë edhe gjatë ditëve në vijim si dhe gjatë vikend”, vlerëson Popovski.

Në Shkup dhe periferi moti në ditët në vijim mbetet me vranësira dhe i freskët me reshje shiu të vazhdueshëm. Do të fryjë erë e lehtë, ndërsa temperaturat do të rriten në intervalin 11 deri në 14 gradë. Sipas QMK reshjet e shiut po ndihmojnë lumenjtë që të kthehen në gjendjen e mëparshme për shkak se gjatë temperaturave të larta ka pasur edhe shumë thatësirë.