Rrugët janë urë lidhëse në një shtet, ndërsa udhëtimet janë të pashmangshme në jetën e përditshme. Deri para një viti, në hyrje të Shkupit pas pikës pagesore Milladinovcë, vozitësit kishin dy zgjidhje – të vazhdojnë majtas drejtë Kumanovës, apo të shkojmë djathtas për në Veles. Tani kanë edhe opsion të tretë – autostradën drejt Shtipit.
Qyteti i Shtipit shtrihet në luginën e lumit Bregallnicë dhe është qyteti më i madh në pjesën lindore të vendit. Industria e tekstilit është shtylla e ekonomisë në këtë qytet. Por fabrikat e tekstilit përballeshin me probleme kur vinte koha për eksportin e produkteve të tyre, për shkak se nuk kishte autostradë që e lidh Shtipin me botën.
Në shkurt të vitit 2014, Qeveria filloi projekt për ndërtimin e 47 kilometrave autostradë, e cila kapte vlerën prej 177 milionë euro.
Ky është aksi më i madhe në Maqedoninë e Veriut dhe gjendet pikërisht në autostradën Milladinovcë – Shtip. Për qytetarët kjo do të thotë lidhje e sigurt dhe e shpejtë e kryeqytetit, me rajonin lindorë të vendit.
Ndërtimi i rrugës u realizua nga kompania kineze “Sinohidro”, ndërsa ishin të angazhuar edhe kompanitë vendase për ndërtimtari “Beton” dhe “Granit”, përkatësisht mbi 800 punëtorë nga vendi. Në Marrëveshjen thuhej që kontraktori kinez të angazhojë prodhues dhe të blejë materiale ndërtimore në vend në vlerë prej më së paku se 49% nga çmimi i përgjithshëm i marrëveshjeve, ndërsa numri i punëtorëve nga Maqedonia të jetë më së paku 51% nga numri i përgjithshëm i punëtorëve.
“Unë jam një nga mbështetësit më të mëdhenj sigurisht dhe tani si ministër, por edhe paraprakisht si kryetar komune, shumë kohë merrem me problematikën e infrastrukturës. Me të vërtetë është shumë e rëndësishme që të kemi rrugë të reja, moderne, të sigurta në vend me qëllim që tua lehtësojmë jetesën në njëfarë mënyre qytetarëve, kompanive, sektorit të biznesit, gjithë atyre që i shfrytëzojnë këto rrugë”, tha Bllagoja Boçvarski – Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Në Shtip u takuam me Elvir Mandak, këshilltarë në Këshillin e komunës, të cilin e pyetëm për përfitimet e autostradës së re.
“Së pari, përparësi e madhe në këtë autostradë është siguria, ndërsa normalisht edhe për sektorin e biznesit është zvogëluar periudha kohore, tani më shpejt arrihet në kryeqytet, për 40 minuta,. Normal, kjo është përparësi e madhe që të mundet të funksionojë më mirë sektori i biznesit. Gjithsesi është përparësi edhe për qytetarët të cilët në ditët e lira mund të shkojnë në shëtitje në kryeqytet, kjo është përparësi e madhe”, u shpreh Elvir Mandak – Këshilltar në Komunën e Shtipit.
Udhëtimi nga Shkupi deri në Shtip me autostradën e re është shkurtuar deri më 30 kilometra, ndërsa asfalti përmban tre shtresa, shtresë 2B dhe 1AB, autostrada është një prej më të mirave në rajon.
Ivan Bojaxhiski është gazetar shumëvjeçarë në qytetin e Shtipit. Ai më së miri mund t’i përshkruajë përfitimet nga zgjidhja e tillë rrugore. E gjetëm në zyrën e tij, ku ende e boton gazetën e tij lokale.
“Autostrada Milladinovcë – Shtip bëri një punë e cila i nevojitej këtij rajoni, jo vetëm Shtipit por gjithë rajonit lindor që i nevojitej ndoshta që para 20-30 viteve, na lidhi me autostradë cilësore, me qendrën shtetërore – Shkupin, më pas edhe me Serbinë dhe daljen drejtë Evropës dhe rrugët cilësore rajonale, me Radovishin, Strumicën, Koçanin, Vinicën, Berovën, Dellçevën, kështu që gjithë rajoni lindor tani në raport me infrastrukturën rrugore qëndron shumë më mirë sesa më herët dhe mendoj se këtë gjë e shohin dhe e vlerësojnë edhe qytetarët. Mendoj se janë të kënaqur nga ky aspekt në jetë”, theksoi Ivan Bojaxhiski – gazetar.
Autostrada nuk është lehtësim vetëm për Shtipin. Bojaxhiski me ne ndau edhe të dhënat e fundit sipas së cilave se në nivel ditorë vetëm nga Strumica dhe Radovishi drejt Shtipit dhe Shkupit kalojnë më së paku 50 kamionë.
“Vetë kjo tregon se sa ka qenë e rëndësishme të kemi autostradë të tillë cilësore. Si ka qenë më herët? E dini, Shtipi është qytet i industrisë së tekstilit. Ka mbi 70 fabrika, nga gjithë ata po të dalë nga 1 kamion, bëhen 70 kamionë, ndërsa dalin për shkak se të gjithë fabrikat tona punojnë për kompani gjermane, belge, zvicerane, austriake e kështu me radhë. D.m.th. cilësia e transportit tani nuk mund të krahasohet”, shtoi gazetari Ivan Bojaxhiski.
Gligor Arsov është kryetar i taksistëve në Maqedoni. Në këtë shoqatë janë anëtarë 10 subjekte juridike me mbi 250 vetura të licencuara vetëm në Shtip. Tha se me autostradën Milladinovcë – Shtip, tani qyteti është i lidhur me autostradë me Vjenën.
“Nuk e di nëse mundet të përshkruhet me fjalë, kjo është diçka tepër e vlefshme për ne. Ne madje me shaka po themi se tani Shtipi lidhet me Vjenë. Nga Shtipi kur të nisesh për në Vjenë, është autostradë, që do të thotë se kjo gjë nuk matet me para. Jo vetëm për taksistët, ja edhe për shpedicionet që udhëtojnë për në Gjermani, Holandë, Itali…Kjo është diçka e mrekullueshme për ne dhe presim që Shtipi të rritet edhe më shumë. T’ju them edhe një shembull tjetër që nuk ka të bëjë me transportin. Shumë qytetarë nga Shtipi mendonin të blejnë banesë në Shkup për të mos humbur shumë kohë për udhëtim, por tani rrallëkush mendon të blejë banesë në Shkup, për shkak se tani kemi gjysmë orë deri në Shkup dhe gjysmë orë për t’u kthyer, që do të thotë se po ndjehemi si paralagje e Shkupit”, potencoi Gligor Arsov.
Ndërtimi i autostradës së re është shumë i rëndësishëm për lidhje më cilësore të rajonit lindor. Janë ndërtuar argjinaturë, tampon, asfalt, punë me beton, ura dhe viadukte. Me 600.000 fidanë janë të pyllëzuar shpatet e autostradës Milladinovcë – Sh. Nikollë- Shtip me qëllim që të sigurohet stabilizim dhe mbrojtje nga erozioni. Në hapësirë prej 30 hektarëve përgjatë autostradës janë mbjellë akacie. Të gjitha këto janë për ta rritur sigurinë e qytetarëve.
“Për shkak se jam nga Shtipi, e di se në çfarë infrastrukture kemi udhëtuar më herët, me shumë “pika të zeza” në rrugën deri në Veles, me shumë aksidente rrugore dhe kushtet dimërore çdoherë ishin problematike për shkak të disa pika të kontestueshme për automjetet”, deklaroi Bllagoja Boçvarski – Ministër i Transportit dhe Lidhjeve..
“Siguria, një prej gjërave më të rëndësishme në komunikacion është siguria. Kishte shumë viktima në autostradën e vjetër e cila kalonte nëpër Veles. Ishte shumë e tmerrshme te grykat, mos dhashtë Zoti të ketë aksident, nuk ka rrugë alternative. Duhet pritur të vijë policia dhe të mbetesh këtu 7-8 orë në rrugë. Do të përsëris, autostrada ka vlerë tepër të madhe, shumë keq që nuk e kemi pasur para 20-30 bile edhe 50 vjetëve”, tha Gligor Arsov.
“Atëherë shkohej nëpër Veles në rrugë dykahëshe, tani rruga është njëkahëshe, siguria është më e madhe, kjo autostradë është më cilësore se autostrada e vjetër dhe arrihet shumë më shpejtë dhe më sigurt. Mallrat që prodhohen në këtë qytet dhe në Maqedoninë lindore kërkojnë transport të shpejt dhe cilësor kështu që mallrat do të dërgohet në mënyrë të shpejt dhe cilësore deri te blerësit e fundit”, potencoi Ivan Bojaxhiski – gazetar.
“Sinqerisht, shumë. Ja duke filluar nga unë, shumë shpesh udhëtojmë për në Shkup, për shkak të obligimeve pune por edhe për qejf ,mendoj se shumë qytetarë të Shtipit e shfrytëzojnë, nuk ka ditë që të mos shkoj në Shkup dhe të mos takoj një bashkëqytetar tim”, theksoi Elvir Mandak – Këshilltarë në Komunën e Shtipit.
Autostrada u ndërtua nga kompania kineze “Sinohidro”, pasi që vendi mori hua nga banka ninëze Eksim. Maqedonia këtë e bëri e para në Ballkan, pasi që Kina ofroi kredi në të ashtuquajturin “shirit dhe rrugë”. Kina kreditë e veta i plasoi së bashku me nismën diplomatike si ajo para 6-7 viteve kur u vendos forumi 16+1, tani 17+1, ku janë mbledhur 17 vende nga Evropa lindore dhe e Mesme, së bashku me kinën dhe ku përforcohen raportet diplomatike dhe afërsia mes Kinës dhe këtyre vendeve.
“Sot kemi zgjidhje moderne dhe të sigurt autostrade, që së pari paraqet distancë më të vogël, shkurtohet për 15-20 kilometra rruga deri në Shkup, me çka kursejmë në energji, shpenzime dhe qytetarët dhe kompanitë që udhëtojnë. Ky është një nga aspektet kyçe dhe aspekti i dytë gjithsesi këtu është edhe siguria e udhëtarëve, ku me të vërtetë është më e sigurt duke vozitur në autostradën moderne dhe të sigurte. Aspekti i tretë gjithsesi është udhëtimi kohor ose timeing për të cilin nevojitet të arrijmë në Shkup”, deklaroi Bllagoja Boçvarski – Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Me 242 kilometrat e autostradës që tashmë janë ndërtuar dhe 132 që po ndërtohen, Maqedonia është diku në mes krahasuar me vendet e rajonit.
Në vend të parë është Greqia me gjatësi të përgjithshme të rrjetit të autostradës prej 2.520 kilometrave, pastaj vjen Turqia me 2.289, Kroacia me 1.254, Bullgaria me 805, Serbia me 620, Sllovenia me 612, Shqipëria me 271, Kosova me 98, Bosnja me rreth 40 kilometra, ndërsa në vendin e fundit është Mali i Zi ku tani për tani nuk ka asnjë kilometër të kompletuar të autostradës.
Në nivel të Evropës rrjeti më i madh i autostradës kanë Spanja (rreth 16 mijë kilometra), Gjermania (13 mijë) dhe Franca (12 mijë).
Në botë Numër Një është Kina (131 mijë kilometra), SHBA-të (77 mijë) dhe Kanada (17 mijë).
