Mërgimtarët mbërrijnë për pushimet verore – “Bëjmë mijëra kilometra për të pushuar në vendlindje”

TË FUNDIT

Mërgimtarët kanë nisur të mbërrijnë në vendlindje për pushimet verore. TV21 ishte këtë fundjavë në pikën kufitare të Tabanocës, ku takoi shumë bashkatdhetarë që kishin udhëtuar mijëra kilometra për të kaluar pushimet me familjet e tyre. Disa prej tyre thonë se kthehen të paktën dy herë në vit dhe përpiqen t’ua përcjellin edhe fëmijëve lidhjen me vendlindjen.

-“Dy herë në vit vijmë, por me pas mundësi edhe më shumë se vendlindja të tërheq gjithmonë”.
-A mendoni që edhe fëmijë tuaj do të vijnë?
-Po, aty është interesi i prindërve, që nëse i sjell fëmijët kur të jenë të vegjël, i tërheq vendlindja sa më shpesh të vijnë aq më mirë.
-Cili është mesazhi për mërgimtarët?
-Gjithmonë ta vizitojnë vendlindjen, ti ofrojnë fëmijët sa më mirë.”

Një mërgimtar nga Gjermania thotë se jeta atje nuk është aq e lehtë sa mendohet dhe se shumë të rinj krijojnë një perceptim të gabuar për emigrimin.

-“Po e kanë marrë popullin në qafë me rrena shqiptarët, se në Gjermani ka pare. Në Gjermani nuk ka pare! Këto janë krejt manipulime, i shikoni veturat luksoze që vijnë janë gjitha ‘rent a car’ deri në fyt janë me borxhe. Të rinjtë më mirë të rrinë në vend të vet, punë ka te ne më shumë dhe më tepër paguhet se atje, për një banesë dy dhomëshe 1,500€ qiraja, nuk e di përse mendojnë rinia të ikin prej vendit vet. Unë e kam pasur paqare qe 54 vite, prej vitit 1970.”

Ka edhe nga ata që besojnë se diaspora do të ishte më e gatshme të kthehej nëse do të kishte më shumë mundësi dhe një klimë politike më të favorshme në vend.

  • “Për ti dhënë mesazh rinisë duhet të ndryshoj shumë aspekti politik. Nëqoftëse politika nuk ndryshon këtu do të zbrazet, do të ngelen vetëm pleqtë, sikurse kanë mbetur nëpër katunde. Nëse ndryshon situata politike, gjithkush është i gatshëm të kthehet në shtëpitë e veta, ne kemi diplomuar këtu dhe jemi larguar nga vendlindja. Për të siguruar një punë detyrohesh të jesh anëtar i një partie politike, dhe njerëzit që e udhëheqin politiken kanë nga 3 ditë shkollë dhe inteligjenca nuk ta lejon të biesh nën nivelin e tyre.”

Ndërkohë, nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se fluksi i udhëtarëve në Tabanoc është rritur ndjeshëm gjatë ditëve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare, nga mesdita e 16 korrikut deri në mesditën e 18 korrikut, në vend kanë hyrë 11.194 shtetas, ndërsa kanë dalë 4.794. MPB njofton se në pikën kufitare po punohet me kapacitet të plotë për të përshpejtuar kontrollet policore dhe doganore. Sipas policisë, fundjava e tretë e korrikut ka sjellë një nga flukset më të larta të sezonit veror, ndërsa intensiteti i lëvizjeve pritet të vazhdojë deri në mesin e muajit gusht.