Mickoski vlerësoi raportin e KE-së si një ndër më të mirët

TË FUNDIT

Raporti i fundit është njëri ndër më të mirët deri më tani, tha kryeministri Hristijan Mickoski pas raportit më të ri të Komisionit Evropian për sundimin e ligjit, në të cilin janë përfshirë vërejtje lidhur me pavarësinë e gjyqësorit. Kryeministri Mickoski thotë – le të ketë kritika, por unë nuk do të ndalem së komentuari për gjendjen, sado raporte të duan le të publikohen. Në pjesën e vërejtjeve të përmendura në raport, se duhet t’u jepet buxhet më i madh, Mickoski thotë – para nuk do të marrin më.

“Mua më takon që unë hapur t’i thërras gjyqtarët dhe prokurorët të sjellin drejtësi, dhe do të vazhdoj në atë drejtim të komentoj, sado raporte të duan le të publikohen. Po, do të vazhdoj derisa të shohim përparim në sjelljen e drejtësisë. Kjo është e para, e dyta, para më shumë nuk do të marrin, para nuk do të marrin, edhe pse kërkohet edhe në Ligjin për Prokurori Publike të vendoset një shumë prej 0,5% nga Buxheti. Nuk do të marrin sepse nuk e kanë merituar”, tha Mickoski

Reagoi LSDM. Nga kjo parti thonë se në raport qartë dhe pa mëdyshje vërehet ndërhyrje dhe presion ndaj gjyqësorit dhe prokurorisë nga përfaqësues të pushtetit, se nuk ka reforma dhe ka korrupsion të përhapur gjerësisht dhe tenderë problematikë. Zëdhënësja e partisë, Bogdanka Kuzeska, dha shembuj për të cilët tha se e konfirmojnë ndërhyrjen e pushtetit.

“Kjo nuk është kritikë e përgjithshme, kjo është diagnozë e drejtpërdrejtë për gjendjen në të cilën gjendet sistemi gjyqësor në Maqedoni nën qeverinë aktuale të VMRO-GKO-së. Zgjedhja e prokurorit të ri publik ishte lajmëruar dhe udhëhequr publikisht nga vetë kryeministri Mickoski përmes një emisioni televiziv, gjë që përbën shkelje të drejtpërdrejtë të pavarësisë kushtetuese të prokurorisë. Mickoski hapur diskreditoi një prokurore me fyerje si ‘mediokritet’, duke treguar se nuk ka për qëllim ta respektojë vullnetin e trupave profesionale, por dëshiron të imponojë kuadrot e veta”, tha Bogdanka Kuzeska

Në Raportin e Komisionit Evropian, kritikat kryesore janë të drejtuara kah ndikimi politik dhe zbatimi i pamjaftueshëm i masave kundër korrupsionit, ku theksohet qartë se pavarësia e gjyqësorit në Maqedoni është e rrezikuar nga presionet dhe ndërhyrja e degëve të tjera shtetërore. Njëkohësisht, në Raport problematizohet edhe mënyra në të cilën u shkarkua ish-prokurori publik Lupço Kocevski.

“Ndërhyrja dhe presioni nga degët e tjera të pushtetit vazhdojnë të shkaktojnë shqetësime serioze lidhur me respektimin e pavarësisë gjyqësore. Pavarësia e gjyqësorit dhe autonomia e Prokurorisë janë të minuara nga ndarja e pamjaftueshme buxhetore. Procedura për shkarkimin e kryeprokurorit zbuloi rrezik nga politizimi dhe mangësi në rregullat për shkarkim.”, thuhet në Raportin e Komisionit Evropian.

Si përfundim i përgjithshëm, në Raport thuhet se efikasiteti i sistemit gjyqësor vazhdon të bjerë dhe se perceptimi për pavarësinë gjyqësore në vend mbetet shumë i ulët.