Çmimi i arit ditëve të fundit shënon një rënie të pazakontë, në kushte kur kriza në Lindjen e Mesme dhe tensionet me Iranin ende vazhdojnë. Kjo është në kundërshtim me logjikën e mëparshme të tregut, kur në kohë rreziqesh gjeopolitike investitorët tradicionalisht ktheheshin tek ari si “strehë e sigurt”, gjë që çonte në rritje të çmimit të tij. Këtë herë, kjo nuk ndodhi! Ari ra nën 5.000 dollarë për ons, gjë që ngre dilema nëse po ndryshon sjellja e tregjeve. Sipas Andrej Pulejkovit nga KB Invest, bëhet fjalë për një korrigjim afatshkurtër, jo për një ndryshim trendi.
“Dy javë është periudhë shumë e shkurtër për të nxjerrë ndonjë përfundim. Së dyti, nëse bëjmë krahasim me të njëjtën periudhë vitin e kaluar, ari shënon norma të konsiderueshme rritjeje, mbi 65%. Arsyet për rritjen afatgjatë mbeten. Kështu, kërkesa e shtuar nga bankat qendrore, veçanërisht nga vendet e BRICS-it, të cilat gradualisht po reduktojnë nivelin e rezervave valutore të de-nominuara në dollarë amerikanë në favor, për shembull, të metaleve të çmuara dhe valutave të tjera, do ta mbajnë rritjen edhe më tej”, tha Andrej Puljekov nga KB Invest.
Për më tepër, sipas tij, ekzistojnë faktorë të qartë që do të vazhdojnë të shtyjnë çmimin lart – tensionet gjeopolitike, sanksionet, rritja e borxhit publik dhe problemet strukturore në sistemin financiar. Bazuar në këta faktorë, projektimet janë që çmimi i arit deri në fund të vitit mund të arrijë midis 5.500 dhe 6.000 dollarë për ons.
Në të njëjtën kohë me arin, në tregje ndodh një fenomen tjetër i pazakontë – rënie e çmimeve të bonove amerikane. Normalisht, në kohë krize ato rriten, sepse investitorët i konsiderojnë si investim më të sigurt. Por, gjatë disa javëve të fundit, trendi është i kundërt. Sipas Pulejkovit, arsyet për këtë dukuri janë shumëfish – nga presionet e inflacionit deri te pasiguria mbi politikat ekonomike në SHBA.
“Rritja e çmimeve të energjisë sigurisht do të shkaktojë një valë të re inflacioni. Së dyti, politika e uljes së normave të interesit sigurisht do të vihet në pauzë. Më tej, deficit i madh buxhetor, i planifikuar dhe i paplanifikuar për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, do të vazhdojë. Do të vazhdojë rritja e borxhit publik, do të rriten kostot e financimit të tij dhe kështu me radhë. Dhe e gjithë kjo do të ketë ndikim negativ, natyrisht, tek besimi i investitorëve”, u shpreh Andrej Puljekov nga KB Invest..
Këto lëvizje tregojnë se tregjet po hyjnë në një periudhë pasigurie të shtuar, ku “strehët e sigurta” tradicionale nuk reagojnë më si më parë. Nëse këto trende vazhdojnë, kjo mund të nënkuptojë financim më të shtrenjtë të borxheve, presion të ri të inflacionit dhe ngadalësim të mundshëm të ekonomisë globale.
