Bashkimi Evropian gjithnjë ka bërë thirrje që regjistrimi në Maqedoninë e Veriut duhet të realizohet, pasi që është jetik për të marrë vendime. Kështu është shprehur ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Dejvid Gir në një intervistë për REL.
Vendimin për shtyrje të tij e ka cilësuar si legjitim, ndërkaq ka bërë thirrje, që gjatë regjistrimit në muajin shtator, në këtë proces të përfshihen të gjithë në mënyrë konstruktive.
“Regjistrimi është një proces i rëndësishëm, sepse ajo që bën është prodhimi i informacionit demografik që është jetik për të marrë vendime publike përtej kufijve, dhe kjo është arsyeja pse BE-ja gjithmonë ka bërë thirrje që të realizohet regjistrimi. Meqë Maqedonia e Veriut është vend kandidat, ne gjithashtu thamë se është e rëndësishme që regjistrimi të kryhet në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Eurostati ynë ka punuar me Entin Shtetëror të Statistikave për këtë çështje. Vendimi për shtyrjen e regjistrimit u bazua në një vlerësim të situatës me Kovid dhe kërcënimit nga pandemia. Ka vende të tjera që e kanë bërë të njëjtën gjë dhe është një vendim legjitim i autoriteteve. Me rëndësi është, që gjatë regjistrimit në shtator, të realizohet me të vërtetë një operacion statistikor, jo politik. Unë me të vërtetë inkurajoj të gjithë që të përfshihen në mënyrë konstruktive në proces”, tha mes tjerash ambasadori Gir.
