KF Shkëndija me ndryshime në strukturën drejtuese, Valdrin Uka merr postin e menaxherit gjeneral

TË FUNDIT

KF Shkëndija ka bërë ndryshime në strukturën menaxheriale dhe Departamentin Sportiv të klubit, duke promovuar disa prej kuadrove që prej kohësh janë pjesë e organizatës.

Valdrin Uka është emëruar Menaxher Gjeneral i KF Shkëndijës, duke marrë përgjegjësi të reja në drejtimin dhe menaxhimin ekzekutiv të klubit.

Ndryshime ka edhe në Departamentin Sportiv. Erhan Selimi, i cili deri tani ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Shkollës së Futbollit, është emëruar Drejtor Sportiv, ndërsa Festim Ademi do të mbajë pozitën e Drejtorit Teknik të Departamentit të Sportit.

Sipas klubit, Selimi dhe Ademi do të bashkëpunojnë ngushtë dhe do të kenë përgjegjësi të përbashkëta në menaxhimin e çështjeve sportive, me synim forcimin e strukturës organizative dhe mbarëvajtjen e klubit.

Shkëndija thekson se emërimet e reja përfaqësojnë avancim në detyrë për drejtues që tashmë janë pjesë e strukturave të klubit, duke konfirmuar besimin në kuadrot e zhvilluara brenda organizatës.

Ndryshimet, sipas klubit tetovar, janë pjesë e procesit të vazhdimësisë dhe zhvillimit të strukturës së Shkëndijës, me synimin për të ndërtuar dhe promovuar kuadro të përgatitura për përgjegjësitë drejtuese.