Nga 1 deri më 21 prill të vitit 2020, do të bëhet regjistrimi i popullsisë, pas pothuajse 17 viteve në RMV.
Për dallim nga regjistrimet e mëparshme kësaj radhe do të përdoret një metodë e re, e cila quhet regjistrim i kombinuar, dhe e dyta që nuk do të shkohet me formular klasik, por regjistrim në mënyrë elektronike. Nga Enti shtetëror për statistika thonë se me këtë nuk do të ketë hapësirë për manipulime, sepse në të regjistrohet numri i amzës vetëm një herë.
Zv/drejtori Zirap Ademi tregon se përse regjistrimi do të mbahet në prill dhe jo në korrik kur kthehen mërgimtarët në vendlindje.
“Periudha e korriku është një ndër periudhat më të papërshtatshme për regjistrim, sepse qytetarët që jetojnë në Maqedoni nuk janë këtu shkojnë nëpër pushime. Por edhe ata që vinë për pushime lëvizin nuk qëndrojnë në shtëpi”, u shpreh Zirap Ademi, zv/drejtor i Entit Shtetëror për Statistika.
Ai tregoi edhe mënyrat se si mund të regjistrohen mërgimtarët tanë të cilët në numër të madh jetojnë dhe veprojnë jashtë vendit. Ademi thotë se do të ketë dy mundësi për regjistrimin e tyre.
“E para është vetëregjistrimi, personat të cilët janë jashtë mund të vetë regjistrohen nga atje ku janë dhe mundësia e dytë është që të regjistrohen nëpërmjet personave që janë në RMV dhe që kanë të dhëna të sakta për ata që jetojnë jashtë”, deklaroi zv/drejtori i Entit Shtetëror për Statistika, Zirap Ademi.
Shefik Duraku nga ASH u shpreh skeptik në lidhje me realizimin e regjistrimit, pasi siç tha pushteti nuk ka pasur qasje serioze për një operacion kaq të rëndësishëm.
“Gjasat mund të jenë reale që edhe ky regjistrim me ndonjë proces gjyqësorë. Ne si opozitë nuk vërejmë një seriozitet të nivelit të duhur që duhej të ketë një operacion të këtillë për shkak se dhe ne nuk jemi të ftuar dhe nuk kemi marrë ndonjë ftesë për të qenë pjesë e këtij procesi”, theksoi Shefik Duraku nga Aleanca për Shqiptarët.
Ndërsa Arianit Hoxha, Entin Shtetëror për Statistika e quajti institucion jokredibil, për realizimin e regjistrimit të popullsisë.
“Ky ent është jo vetëm jokredibil po ka qenë gjeneratorë I shumë krizave ndëretnike në Maqedoni, sepse ka qenë institucion i pa prekur nga shqiptarët, ka qenë si çështja e shërbimit sekret ku shqiptarët e kanë patuar të ndaluar, andaj brenda këtyre dy viteve është dashur që të reformohet”, potencoi Arianit Hoxha nga Lëvizja Besa.
Regjistrimi i fundit i popullsisë është mbajtur në vitin 2002. Pati edhe një tentim për regjistrim në vitin 2011, por i cili u ndërpre dhe rezultoi i pa suksesshëm.
Përgatiti: Salije Sadiku
