Komisioni për Çështje Evropiane në vazhdimin e seancës së 54 ka shqyrtuar propozim ligjin për konfirmimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për implementimin e projektit për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10 d me procedurë të shkurtuar.
Në këtë seancë me 4 vota PËR, 9 vota KUNDËR dhe asnjë të përmbajtur, nuk e miratoi amandamentin e propozuar nga deputetët Antonio Milloshoski, Eli Panova, Mirçe Axhioski, Igor Zdravkovski, Mile Lefkov dhe Toni Jarevski. Amandamenti kishte të bëjë me nenin 2 me qëllim që të shtohet neni 2-a. Ata kërkojnë nga Qeveria që marrëveshja të publikohet në gazetën zyrtare në afat prej shtatë ditëve që nga hyrja në fuqi por kjo kërkesë u refuzua nga ministri i financave Fatmir Besimi. Ata gjithashtu ankohen pse janë hequr pagesat tatimore për importimin e materialeve për kompaninë realizuese.
“Qeveria nuk mori guximin deri sot të tregojë marrëveshjen të cilën e ka lidhur me partnerin strategjik “Bechtel dhe Enka”. Amandamenti i vetëm të cilin VMRO-DPMNE dhe koalicioni e dorëzoi lidhur me këtë propozim ligj ishte pikërisht publikimi i marrëveshjes që thjeshtë ta shohë dritën e ditës. Ta shohim nëse në këto dy muajt e kaluar derisa flisnim në të gjitha sallat e Kuvendit janë të vërteta apo Qeveria ka diçka për të fshehur dhe këtë marrëveshje e bëri të fshehur”, tha Eli Panova – deputete e VMRO-DPMNE-së.
“Unë do ta pyesja ministrin. Vallë kjo firmë me renome “Bechtel” ndërtonte edhe në shtetet fqinje sikurse në Serbi e Kroaci. Këtu është ministri le të tregojë nëse këto vende fqinje janë sjellur ligje të tilla kontestuese ku shteti i’a lironte duart kësa firme që të mund të ndërtojë? Vallë edhe atje u anashkalua ligji për furnizime publike apo furnizimet publike bëheshin sipas ligjeve të tyre? Pse tek ne duhet të sillen ligje të tilla të cilat shkelin sistemin tonë?”, pohoi Mirçe Axhioski – deputet i VMRO-DPMNE-së.
Ministri Besimi tha që kompanitë realizuese të projektit nuk do të lirohen nga tatimet dhe kontributet por nuk do të paguajnë vetëm tatimet indirekte.
“Askush nuk lirohet nga tatimet. Tatimet direkte, të fitimit, çfarë do të fitojë këtu, do të paguajnë si çdo firmë. Tatim për të ardhura personale, kontribute, të gjithë do të paguajnë. Edhe ata të cilët janë operatorë në këtë proces edhe ata që do të jenë subkontraktorë. Secili që do të punojë në këtë projekt do t’i paguajnë të gjitha tatimet sikurse çdo firmë tjetër në çfarëdo aktiviteti ekonomik. Lëndë e lirimit janë të ashtuquajturat tatime indirekte. Ato të cilat në fakt janë harxhime për investitorët”, theksoi Fatmir Besimi – Ministër i Financave.
Deri tani në komision kanë kaluar ligjet për marrdhënie pune, ligji për planifikim urbanistik, ligji për ndërtim ndërsa sot po debatohet edhe për ligjin për shpronësim.