Protestë në Kapishtecit kundër muzikës me zë të lartë nga kafeneja “Intermezzo”, i pranishëm edhe kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski

TË FUNDIT

Banorët e lagjes Kapishtec u mblodhën në protestë kundër muzikës së lartë që vjen nga lokali “Intermezzo”, i cili ndodhet në hapësirën mes blloqeve të dendura të banimit në këtë lagje dhe bulevardit “Mitropolit Teodosij Gologanov”.

“Jemi mbledhur këtu si fqinjë, për shkak të shqetësimeve dhe keqtrajtimit që po përjetojmë prej më shumë se dhjetë vitesh. Nga një lagje e qetë dhe ndër më urbane, Kapishteci është shndërruar në një xhungël moderne”, tha Goran Gacovski, banor i Kapishtecit.

Në protestë ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, i cili kujtoi se është rritur në këtë lagje dhe tha se problemi është grumbulluar ndër vite.

“Po, kam qenë iniciator i një peticioni që u nënshkrua së bashku me banorët dhe që iu dorëzua të gjitha institucioneve relevante, të cilat mund të na ndihmojnë edhe neve si komunë për të ndërmarrë masa dhe për ta zgjidhur përfundimisht këtë problem të madh me të cilin përballen banorët e Kapishtecit, e që është muzika e lartë gjatë orëve të natës nga disa prej lokaleve”, deklaroi Gerasimovski.

Banorët e revoltuar thonë se do të vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje për problemin e zhurmës dhe muzikës së lartë, e cila prej shumë vitesh po ua prish qetësinë gjatë orëve të natës.