“Reforma në gjyqësor dhe luftë me korrupsion”, fokusi i ambasadores së re të ShBA-ve në RMV Anxhela Prajs Ageler

TË FUNDIT

Anxhela Prajs Ageler do të jetë ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni, bëri me dije shumica demokratike në Senat. Javën e kaluar, Komisioni i Senatit për Punë të Jashtme mbajti seancë dëgjimore për nominimin e saj, në të cilën ajo paralajmëroi “se do t’i inkurajojë reformat gjyqësore dhe se do të punojë për t’i ndihmuar Maqedonisë së Veriut të zhvillojë një strategji kombëtare me të cilën në mënyrë efektive do të kërkohet përgjegjësi nga aktorët e korruptuar”. ShBA-të dhe Maqedonia e Veriut kanë shumë prioritete të përbashkëta, duke e përfshirë luftën kundër korrupsionit, përmirësimin e sundimit të ligjit dhe forcimin e qeverisjes së mirë, theksoi Ageler.

Unë do të inkurajoj reformat në drejtësi dhe do t’u bëj thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që ta promovojnë transparencën në hetimin e akuzave për abuzim dhe të përballen me vendosmëri me korrupsionin për ta forcuar besimin e opinionit në qeverisje. Do të punoj me partnerë ndërinstitucionalë për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut të zhvillojë një strategji kombëtare e cila në mënyrë efektive do të kërkojë përgjegjësi nga aktorët e korruptuar“, deklaroi Anxhela Prajs Ageler, ambasadore e ardhshme e ShBA-ve në RMV.

Ageler paralajmëroi se do të punojë edhe në drejtim të përforcimit të rezistencës ndaj ndikimeve të jashtme, duke përfshirë Kinën dhe Rusinë. Njëkohësisht, ajo theksoi edhe mbështetjen e saj për anëtarësimin e Maqedonisë në BE.

“Ne qëndrojmë fuqishëm pas procesit të zgjerimit të BE-së, sepse ai ka avancuar zhvillimin demokratik dhe ka promovuar paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në kontinentin evropian, duke ndërtuar partnerë strategjikë më të fortë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Maqedonia e Veriut i kapërceu sfidat e vështira dhe bëri zgjidhje të vështira për të bërë hapa historikë përpara në rrugën e saj inkuadruese”, tha Anxhela Prajs Ageler, ambasadore e ardhshme e ShBA-ve në RMV.

Ageler vjen në vendin e ambasadores aktuale Kejt Meri Bërns, e cila në vitin 2019 u emërua ambasadore në Shkup. Ndryshe, Ageler, paraprakisht ka punuar në Ambasadën amerikane në Shkup në Sektorin për Marrëdhënie me Publikun, kurse gjatë karrierës së saj diplomatike ka ushtruar edhe funksionin e zëvendës-shefes së Misionit në Ambasadën e ShBA-ve në Pakistan.