Qeveria dhe partitë në pushtet nuk e kanë pritur mirë refuzimin e SASHK-ut për rritjen e rrogave prej 2.500 denarë ose 10%.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka reaguar, duke e konsideruar të paarsyeshëm qëndrimin e SAShK-ut, që sipas tij po bën shantazh në dëm të arsimit të nxënësve.
“Qeveria po bën gjithçka që është e mundur për të ruajtur dialogun dhe për të gjetur gjuhë të përbashkët, por kërkesat dhe qëndrimi i SASHK-ut janë krejtësisht të papranueshme. Vendi i fëmijëve është në shkolla dhe në këtë situatë vetëm SAShK dhe kryesia janë përgjegjës që ata nuk po e ushtrojnë të drejtën e arsimit”, tha Kovaçevski.
“BDI konsideron se me refuzimin e ofertës së dhënë nga ana e Qeverisë, SASHK vendos interesat personale mbi interesat e nxënësve derisa dëmi shkon në llogari të mësimdhënësve dhe nxënësve pikërisht në prag të përfundimit të procesit mësimor, pasi që e drejta për arsimim e secilit fëmijë është e garantuar edhe me Kushtetutë”, thanë nga BDI.
Nga ana tjetër, opozita e ka quajtur të turpshëm propozimin e Qeverisë për rritjen e rrogave për 10%.
“Atë që e propozoi Qeveri është të vazhdoj të vjedh dhe t’i shpenzoj në mënyrë jo të duhur paratë. Siç kuptova gojarisht 10% rritje të pagave të mësimdhënësve dhe të punësuarve në çerdhe pa pasur marrëveshje të shkruar pas rebalancit të buxhetit për të cilin nuk dihet kur do të ndodh dhe a do të ndodh. Turp është kj o sjellje e Qeverisë”, tha Mickoski.
“Mua më duket absurde dhe hipokrizi nga ana e Qeverisë që tani po bëjnë rolin e viktimës se SAShK-u nuk paska pranuar 2.500 denarë rritje të rrogave, në ndërkohë që po Qeveria në kohën kur u rrit rroga minimale, e refuzoi në mënyrë të njëanshme, të paskrupullt amendamentin e Aleancës për Shqiptarët që parashihte rritje lineare të rrogave, edhe të arsimtarëve, edhe të administratës, edhe të gjithëve”, theksoi Sela.
Ndryshe greva po vazhdon, pasi SAShK-u nuk pranoi propozimin e Qeverisë për rritje të pagave prej 10 për qind që do ta mbyllte grevën e filluar më 11 prill. Për SASHK-un, rritja prej 10% e pagave në mbrojtjen e fëmijëve, arsimin fillor dhe të mesëm nuk përputhet fare me shumën e rritjes së pagës minimale këtë vit dhe nuk është një nxitje e duhur për të rikthyer dinjitetin e profesionit. SASHK kërkon rritje të pagave për 18.4 për qind dhe harmonizim të tyre me pagën minimale.
