Reagime pas raportit, pushteti dhe opozita me akuza ndaj njëra-tjetrës

TË FUNDIT

Pushteti dhe opozita akuzojnë njëra-tjetrën për fajin rreth heqjes së identitetit dhe gjuhës maqedonase në raportin e Parlamentit Evropian, përmes amendamenteve të eurodeputetëve bullgarë. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, thotë se kjo është rezultat i politikave të gabuara të pushtetit në arenën ndërkombëtare, ndërsa shton se kur ata kanë qenë në pushtet, e kanë garantuar gjuhën dhe identitetin maqedonas. Ai tha se e pranon thirrjen e kryeministrit Mickoski për unitet në zgjidhjen e këtyre çështjeve.

“Vendimi i Parlamentit Evropian dhe miratimi i raportit është rezultat i devijimit nga pozicionet strategjike të shtetit dhe i keqpërdorimit të çështjeve të gjuhës dhe identitetit nga Qeveria për fushatën e saj politike. Po ashtu, është pasojë e improvizimeve diplomatike dhe neglizhencës totale të Qeverisë për ruajtjen e pozicionit ndërkombëtar të shtetit”, tha Filipçe.

Edhe nga Fronti Evropian vijnë kritika. Aty thonë se që në fillim kanë paralajmëruar se një pushtet pa legjitimitet etnik, përveç problemeve të brendshme, do ta përballte shtetin edhe me probleme të jashtme.

“Ne duam që ky proces evropian të vazhdojë dhe jemi të gatshëm të kontribuojmë, por që të japim një kontribut më të thellë, duhet një hapje reale këtu në vend për të ecur të gjithë së bashku në rrugën që na pret”, tha Bexheti.

Kryeministri Mickoski iu përgjigj akuzave duke thënë se opozita e tanishme ka shitur gjithçka – nga flamuri deri te emri – dhe nuk ka kredibilitet të gjykojë.

“Njerëzit që shisnin gjithçka që kishte lidhje me identitetin – nga flamuri te emri – nuk kanë asnjë kredibilitet për të gjykuar. Çfarë ka bërë kjo Qeveri? U përpoq të rikthente një pjesë të humbur dhe pjesërisht ja arritëm”, tha Mickoski.

Kryetari i ZNAM, Maksim Dimitrievski, bëri thirrje për bashkim kombëtar në mënyrë që Maqedonia të mbijetojë.

“Do t’i mposhtim këto politika shkatërrimtare të së kaluarës, do ta dëshmojmë të vërtetën tonë para botës. Prandaj, së bashku me kolegët e mi, pa motiv politik, bëj thirrje për bashkim kombëtar dhe nënshkrim të një platforme dhe deklarate të përbashkët nga të gjitha subjektet politike në Maqedoni, për të treguar unitet të përgjithshëm”, tha Dimitrievski.

Parlamenti Evropian dje miratoi raportin për Maqedoninë nga eurodeputeti Tomas Vajc, por nga teksti u hoqën gjuha dhe identiteti maqedonas pasi u pranuan amendamentet e eurodeputetëve bullgarë.