RASTI “MONSTRA”, DËSHMOJNË DËSHMITARËT E MBROJTJES

TË FUNDIT

Tre dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja kanë dëshmuar sot në seancën e hapur të Rastit “Montsra”. Dy nga dëshmitarët kanë qenë për të akuzuarin, Sami Luta, kurse njëri prej tyre dëshmoi për Fejzi Hazirin. Dy dëshmitarët e Lutës, kundërshtuan fjalët që në seancat paraprake i kishte thënë dëshmitari i koduar i cili para trupit gjykues kishte thënë se ka parë Lutën në vendin e ngjarjes dhe se ai ka pasur flokë të gjata dhe një shenjë të kuqe në fytyrë. Senad Bushi tha se Samiun e njeh nga fëmijëria dhe se e ka mik shtëpie. Ai tha se dy muaj para se të ndodhë ngjarja Luta ka qenë në dasmën e tij dhe se nuk ka pasur flokë të gjata. Për ngjarjen është informuar në internet kafenë e lagjes në të cilën për vite me rradhë kanë pirë edhe kafe me Lutën. Konfirmoi se edhe pas ngjarjes e ka takuar Lutën, po edhe të akuzuarit e tjerë, të cilët i njeh nga internet kafeja e lagjes. Se Luta nuk ka pasur flokë të gjata e tha edhe bashkëshortja e Senadit, Valdete Bushi, e cila deklaroi se Samiun e ka parë në CD-në e dasmës të cilën ja kanë dorëzuar organeve dhe se ai ka qenë me flokë të shkurtra. Kurse dëshmitari Jonço Ivanovski tha se e njeh mirë atë dhe se kompania e tij ka qenë e ngjitur me fermën e të akuzuarit  Fejzi Haziri. Ai tha se Haziri nuk është fajtor, duke vlerësuar rethanat dhe kohën e kaluar së bashku me të akuzuarin. Sipas tij, gjatë periudhës që e njeh Fejziun, ai nuk ka shfaqur doza nacionalizmi dhe urrejtjeje ndaj komunitetit maqedonas.