I dyshuari për përdhunimin e vajzës 11- vjeçare ende është në liri, ndonëse kanë kaluar dy muaj që kur rast është denoncuar në polici. Përveç që e ka përdhunuar, i dyshuari ka vazhduar edhe me kërcënime, ndaj vajzës së vogël.
Hulumtuam, se a është e zakonshme në vendin tonë, që të kalojnë dy muaj, e i dyshuari kryesor të mos kapet nga organet e rendit?
Nga rastet që i gjetëm, kapjet e të dyshuarve janë bërë nga 4 deri në 10 ditë, por ka një rast që ka ndodhur në Gostivar, ku procedura nga akti i dhunimit e deri te kapja e dhunuesit ka zgjatur 2 vjet.
Por, rasti i fundit nga Shtipi, tregoi se dhunuesit mund të kapen edhe për 24 orë.
E për të përshpejtuar këto procedura në institucione edhe për të mbrojtur viktimat nga dhuna, nga Avokati i Popullit rekomandojnë të ketë organ të veçantë.
“Duke e pasur parasysh gjendjen, gjegjësit moshën dhe pjekurinë e këtyre personave, si institucion konsiderojmë dhe është e domosdoshme të ekzistojë organ i cili gjithmonë do të reagojë nëse vjen deri te ngadalësimi apo veprim joefikas i institucioneve në mbrojtjen e këtyre fëmijëve. Veçanërisht ne u brengosëm për këtë rastin që e publikuat, por edhe për raste të tjera për të cilat Avokati i Popullit ka vepruar”, tha Vaska Bajramovska, Pjesëtare e Avokatit të Popullit.
Por, deri te formimi i këtij organi, cili është roli i Avokatit të Popullit në rastin e përdhunimit të 11 – vjeçares?
Vaska Bajramovska thotë se ata hapin raste për të ndikuar te institucionet që të jenë më të shpejta dhe efikase. Rastet hapen në rast se atë e kërkojnë familjarët e të miturve apo edhe ndonjë i afërm.
“Sipas informimit tuaj, institucionet janë njoftuar dhe po ndërmarrin masa. Në këto raste, institucioni Avokati i Popullit mundet me kërkesë të prindërit, personit kujdestar, ndonjë të afërme të lëshohet në ndjekjen dhe monitorimin e veprimit të organeve kompetente. Duke e pasur parasysh se edhe Ministria e Punëve të Brendshme, Prokuroria Publike, edhe qendra për punë sociale, kanë kompetencë t’i mbrojnë të drejtat dhe interesat e duhet të reagojnë shpejtë dhe në mënyrë efikase për mbrojtje dhe mbështetje të fëmijës e cila është viktimë”, tha Vaska Bajramovska.
Meqë në rastin e 11-vjeçares rastin nuk e ka paraqitur askush, Bajramovska njoftoi se procedurë do të hapin me vetiniciative duke përdorur të dhënat që janë publikuar në kronikat e TV21. Pasi të hapet rasti, Avokati i Popullit do të dërgojë shkresë deri te të gjitha institucionet që të përshpejtojnë me procedurën.
Përndryshe, dje njoftuam se për rastin e përdhunimit të 11-vjeçares nga Kumanova procedurë ka hapur Prokuroria Publike. Për shkak se rasti është në fazë parahetimore, ata nuk japin përgjigje as në pyetjet: Se a është dhunues biri i xhaxhait të së miturës? A është e vërtetë se e mitura është marrë në pyetje në polici pa prezencën e nënës dhe se aty është kërcënuar nga nëpunësi policor, për çfarë më pas e ka ndërruar deklaratën?
Për të hetuar punën e nëpunësve policor, procedurë ka hapur edhe MPB, ndërkaq për rrjedhën e rastit janë angazhuar edhe Sektorë të tjerë në MPB-së.
