Rasti i lehonës që iu hoqën organet/ Mbahet seanca e parë gjyqësore, mjekët mohojnë akuzën

TË FUNDIT

Me 7 muaj vonesë, sot filloi gjykimi për rastin e dibranes Jalldaz Veaposka, e cila pretendon se në vitin 2020 pasi lindi fëmijën në Strugë, iu morën disa organe. Të dyshuar për këtë vepër janë mjekët Muhamed Asani, Blerton Asani dhe Liliana Jovanoska.

Gjatë dëshmisë Veaposka tregoi se në gusht të vitit 2020, lindi me prerje cezariane pas çka i është dëmtuar arteria e majtë renale dhe përkundër kësaj nuk janë ndërmarrë masa për gjendjen e saj, por siç tregoi, i kanë dhënë terapi pas së cilës ajo ka rënë koma, pas çka aji pretendon se e kanë operuar, duke i hequr mitrën dhe vezoren e majtë, të cilat nuk ishin të dëmtuara. Edhe pas këtij intervenimi, gjakderdhja nuk u ndal dhe me një operacion të dytë zbuluan se ajo kishte një arterie të dëmtuar dhe çrregullim të rëndë shëndetësor, pas çka i ishte hequr veshka e majtë.  Ajo pohon se pas lindjes i kanë thënë të përgatitej për ta lëshuar në shtëpi, edhe pse nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore.

 “Ditën e parë pasi m’u përkeqësua situata, e lajmërova burrin tim dhe thash se nga spitali po më lëshojnë në shtëpi, por unë nuk ndjehem mirë të vish të më marrësh dhe të më dërgosh në një spital tjetër sepse unë po vdes dhe se fëmijët e mi do të mbeten pa nënë, kjo ishte e gjitha që mbaj mend dhe më ra telefoni, erdhën mjekët u mblodhën dhe vendosën që të më bënin operacion”, tha Jalldaz Veaposka, e dëmtuara.

Pas operacioneve dhe përkeqësimit të gjendjes është dërguar në Shkup në gjendje të rëndë shëndetësore. Ajo thotë se gjatë operacionit në Strugë e ka dëgjuar doktor Muhamed Asanin se si ka bërë marrëveshje me dikë në sallë për organet e saj.

 “Kur u zgjova në Karill kur më pyesnin mjekët se nga e dija se çfarë kishte ndodhur me mua dhe ju thash që dëgjova disa zëra dhe ende i dëgjoj, kujtimet më janë kthyer dhe dëgjoj se Muhamed Asani po fliste me disa, nuk di kush ishin dhe po bënin marrëveshje për organet për veshkën dhe sërish pastaj rashë në gjumë pastaj nuk mbaj mend dhe pastaj mbaj mend tek ndihma e shpejtë kur më dërgonin në Shkup”, deklaroi Jalldaz Veaposka, e dëmtuara.

E këtyre akuzave, doktor Muhamed Asani nuk deshi t’u përgjigjet as sot pasi dola nga salla e gjykatës së Strugës.

 “Asnjë deklaratë për ju që asnjëherë nuk keni qenë korrekt”, tha Muhamed Asani, i akauzuar.

Gjatë seancës, pala e dëmtuar paraqiti listë provash nga ekspertiza nga lëmi i akusherisë dhe dy raporte për mbikëqyrjen e ekspertëve të punës së mjekëve. Mbrojtësit kërkuan marrjen në pyetje të të pandehurve, por mjekët thonë se janë të pafajshëm dhe kërkojnë që të kryhet një ekspertizë tjetër për t’u vërtetuar rasti në fjalë. Sot u dëgjuan vetëm të akuzuarit dhe e dëmtuara. Seanca e radhës pritet të mbahet më 10 mars.