Në prezantimin e buxhetit të vitit 2022 për mbrojtjen, përpara ushtarakëve, kryeministri Edi Rama tha se ka ardhur me një premtim të mbajtur. Kreu i qeverisë tha se ashtu sikurse kishte premtuar në gusht, në buxhet është rritja e pagave me 30% për Forcat e Armatosura.
Ndër të tjera kryeministri tha se Shqipëria nuk ka më suhtrinë për pak të paguar në NATO. Rama premtoi gjithashtu se vitin tjetër pagat do të rriten përsëri.
“Dua ta filloj rreshtimin pak pikave me shprehjen e lehtësimit tim që sot jam këtu para jush me një zotim të mbajtur për rritje të konsiderueshme të pagave. Nuk është rritja e parë e pagave që bëjnë, pas një periudhe të gjatë. Por kjo është një rritje e konsiderueshme. Kur u takuam me një pjesë prej jush në gusht pas zjarreve ju thashë se do të rrisim pagat. Sot pagat janë të shkruara me 30% rritje në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Sot po ju them se vitin tjetër do t’i rrisim përsëri pagat. Nuk ka asnjë arsye që FA si dhe për potencialin që kanë të jenë mbrapa nga shumë vende të aleancës dhe këtu nuk flasim për ato që janë vende të fuqishme, por për shumë vende të tjera. me këto rritje pagash nuk kemi më ushtrinë më të pak paguar në NATO. Pra nuk jemi as në krye se aty nuk besojmë se do arrijë dot kush, nuk jemi as në mes, por nuk jemi më të fundit. Ambicia është që brenda mandatit të tretë të jemi diku në mes. Besoj që mund ta arrijmë dhe jam i bindur që do ta arrijmë,” deklaroi Rama.
