Nga Tirana, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në konferencën me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, tha se shqiptarët nuk duhet të harrojnë se pa SHBA-të nuk do të kishte një shtet të pavarur të Kosovës.
Rama: Kemi folur për rajonin, kemi ndarë të njëjtat pikëpamje dhe shqetësime. Siç dihet Shqipëria ka një politikë të dorës së shtrirë të miqësisë për të gjitha vendet e rajonit. Jemi investuar që rajoni të shkojë përpara. Është në interesin e popullit tonë që ta shikojë bashkimin me Evropën si pjesë të pandarë të bashkimit të këtij rajoni rreth vlerash dhe parimesh që mishërojnë qenien tonë në komunitetin e madh të shteteve demokratike.
E kemi nxitur dialogun e pazëvendësueshëm mes Kosovës dhe Serbisë. SHBA-të, kanë qenë janë dhe do mbeten mbështetëse të palëkundura të njohjes përfundimtare të Kosovës dhe të përmbushjes së subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Është mirë që shqiptarët të mos e harrojnë se pa SHBA-të nuk do kishte një shtet të pavarur të Kosovës dhe se interesi i SHBA-ve në këtë rajon dhe specifikisht interesi për mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri e Kosovë nuk është interes i dorës së dytë. Dua të përsëris apelin për autoritetet e Prishtinës që të mos bëjnë asnjë hap pas pa u konsultuar me aleatët e tyre strategjik, pasi është në interes të tyre. Nga veprimet e pa konsultuara mund të fitohen ca vota sot për sot.
