Radev: “Propozimi francez” është më i miri për momentin! Politikanët bullgarë të mos shpejtojnë me shpalljen e fitores historike

TË FUNDIT

“Propozimi francez” për zhbllokim të procesit eurointegrues të Maqedonisë së Veriut është më i miri për Bullgarinë, por politikanët bullgarë nuk duhet të shpejtojnë të shpallin fitore historike, sepse dokumentet e propozuara nuk japin mjaft garanci për mbrojtjen e interesave të Sofjes, deklaroi sot në Plovdiv presidenti bullgar, Rumen Radev.

Radev theksoi se më e mira është ajo që Bullgaria arriti t’u kundërvihet dy këshillave për zgjerim të BE-së, kur ka pasur pozitë të qartë dhe argumente të qarta.

Sipas Radevit, partnerët evropianë të Sofjes e ndajnë qëndrimin e saj se “çështja për mbrojtje të të drejtave qytetare dhe lufta kundër diskriminimit nuk mund të jetë çështje bilaterale vetëm mes Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, por duhet të parashtrohet në nivel të BE-së”.

Ai më tej u bëri thirrje politikanëve bullgarë të mos shpejtojnë me shpalljen e “fitores historike”, sepse, siç theksoi, ndryshimi i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë nuk është hapi i fundit, por i pari drejt integrimit të vendit në BE.

“Duhet të jetë e qartë se ky proces bazohet në dy dokumente të rëndësishme – i pari është Korniza negociuese, e cila është obligim dhe e përgatitë BE-ja. I dyti është protokolli bilateral, i cili është angazhimi ynë dhe është pjesë përbërëse e kornizës negociuese”, tha Radev, duke shtuar se për momentin protokolli i propozuar bilataral “nuk jep mjaft garanca për mbrojtjen e interesave të Bullgarisë”.