Pas provokimit në Manastir, nga Bullgaria po vijnë provokime të reja. Presidenti bullgar Rumen Radev përsëri i akuzoi politikanët maqedonas për, siç tha, ndërtimin e identitetit që bazohet në falsifikim, ndërsa sipas tij, Vanço Mihajllov ishte njeri me rolin kyç për Maqedoninë gjatë Luftës së dytë botërore.
“Nëse flasim për fashizëm, duhet të jetë e qartë se Ivan Mihajllov është njeriu i cili e ka refuzuar Hitlerin që ta fusë Maqedoninë në luftë të përgjakur me Bullgarinë. Jo Ivan Mihajllov, por njerëz të tjerë pas vendosjes së diktaturës jugosllave në Maqedoni, kanë vrarë dhjetëra mijë njerëz nëpër kampet e përqendruara për shkak se janë deklaruar si bullgarë e jo si maqedonas”, tha Rumen Radev, presiden i Bullgarisë.
Presidenti maqedonas iu përgjigj Radevit se ka fakte historike që nuk i konteston historiografia bullgare se Vanço Mihajllov ishte bashkëpunues i Hitlerit. Në lidhje me deklaratën e Radevit për vrasje të njerëzve që janë deklaruar si bullgarë, Pendarovski tha se kjo është gënjeshtër.
“Nuk ekziston as një burim relevant historik që do të konfirmojë se 10 mijë persona janë vrarë në kampet e përqendruara në Maqedoni në atë kohë. Asnjë. As në historiografinë bullgare, as në atë maqedonase e as në atë botërore. Diçka që mund të jetë definicion për kampet e përqendruara në kohën e ish Jugosllavisë është vetëm Goli Otok në Kroacinë e sotme. Në territorin e Maqedonisë asnjëherë nuk ka pasur kampe të këtilla, as në atë kohë e as sot. Numri i 10 mijë personave të vrarë, është një konstruksion për qëllime politike”, tha Stevo Pendarovski, president i RMV-së.
Kryeministri Kovaçevski thotë se nuk duhet t’i kthehemi së kaluarës dhe personave për të cilët dy shtetet kanë qëndrime të ndryshme, ndërsa provokimet e këtilla me persona siç është Vanço Mihajllov i cili ishte bashkëpunuesi i Gjermanisë së Hitlerit, nuk janë në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve. Për emrin e klubit, tha se do të bisedohet javën e ardhshme.
“Kjo ngjarje është vetëm një provokim i cili nuk kontribuon për përmirësimin e marrëdhënieve dhe për finalizimin e dialogut të suksesshëm. Normal se ne si Qeveri do t’i mbledhim të gjitha informacionet e nevojshme për regjistrimin e shoqatës së qytetarëve, ndërsa për shfrytëzimin e emrave tashmë kishte edhe ekspertë juridikë që thanë se kur të mblidhen të gjitha informacionet, javën e ardhshme do t’ju njoftojë për hapat e ardhshëm”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Nga Ministria e drejtësisë paralajmërojnë se po përpilohet ligj për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për shoqata dhe fondacione për çka është formuar edhe grup i punës që duhet t’i shqyrtojë të gjitha çështjet e hapura mes të cilave edhe çështja për personalitet historike. Është publikuar edhe thirrje publike në ueb faqen e Ministrisë së drejtësisë për sugjerime dhe vërejtje të shoqatave civile për përpilimin e zgjidhjes së re ligjore.
