Qytetarët pësojnë, partitë fajësojnë njëra-tjetrën/ VMRO-DPMNE hedh dyshime se po përgatitet terren për kompani bullgare

TË FUNDIT

Përderisa qytetarët për çdo ditë e vuajnë bllokimin e Shkupit nga protestat e transportuesve privatë, LSDM dhe VMRO-DPMNE fajësojnë njëra-tjetrën për problemin e krijuar. Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski hedh dyshime se kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska po përgatit terren që një kompani bullgare ta marrë të drejtën që të realizojë transport privat në Shkup. Stoillkovski pyet Arsovskën nëse në Shkup tashmë kanë arritur autobusët e kësaj kompanie.
https://www.youtube.com/watch?v=bslXguHdIJs

“A kanë mbërritur tashmë në Maqedoni autobusët e një kompanie të afërt me Sofjen, që ta marrin vendin si të vetmit transportues privatë në Shkup, si rezultat i këmbënguljes së Kovaçevskit në takimin e fshehtë me Arsovskën? A është shkaktuar kaosi në Shkup për largimin e transportuesve të deritanishëm privatë pas marrëveshjes nga takimi sekret, që transportin në Shkup ta marrë një kompani private nga Bullgaria, e afërt me Sofjen, për të cilën insiston qeveria e Kovaçevskit”- Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Mijëra qytetarë nuk munden të arrijnë në vendet e punës, në spitale, studentët nuk mund të arrijnë në fakultet, nxënësit në shkolla dhe as fëmijët në çerdhe thonë nga LSDM, e fajin për këtë ia hedhin Arsovskës dhe Mickoskit.

“Para 1 viti saktë, festuan me surle dhe tupanë para pallatit të bardhë. Danella Arsovska me pallto të bardhë, Hristijan Mickoski me bluzë dhe anëtarët e tjerë të bordit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së. Tani çmimin e grindjeve të tyre e paguajnë qytetarët e Shkupit. Kërkojmë që Mickoski të ndërpresë bllokadën në Qytetin e Shkupit, t’i jap urdhër partiak kuadrove të tij në ndërmarrjet publike në Qytetin e Shkupit, bordeve drejtuese të ulen dhe të gjejnë zgjidhje për problemin që vetë e krijuan”- th Vasko Kiçevski, LSDM.

Vetë kryetarja e Shkupit Danella Arsovska deri më tani nuk ka dalë para mediave për të folur për këtë çështje, por dje ajo përmes Facebookut pyeti nëse lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski së bashku me kryeministrin Dimitar Kovaçevskin kanë pasur takim të fshehtë në një lokal në Shkup? Nga Qeveria thonë se po e monitorojnë situatën, por pa konkretizuar nëse planifikojnë të ndërmarrin ndonjë masë që do të ndihmojë në tejkalimin e këtij problemi.