Qytetarët mund të padisin shtetin dhe komunat! Gjykata Supreme përcakton përgjegjësinë për ajrin e pastër

TË FUNDIT

Qytetarët e Maqedonisë tash e tutje mund të padisin shtetin, por edhe komunat, për mos-ofrimin e ajrit të pastër. Kjo mund të ndodhë pasi që Gjykata Supreme në Maqedoni, sipas juristit Jeton Shasivari, tashmë ka autorizuar Gjykatën Administrative se përgjegjës për cilësinë e ajrit është shteti, por edhe komunat, dhe ata duhet të marrin masa për të siguruar ajër të pastër në vend.
Shasivari trajtoi këtë temë si kryesore në seminarin e organizuar nga Myftinia e Tetovës për luftimin e dukurive negative.

“Një hap i madh është arritur në shtetin tonë me miratimin e vendimit parimor nga Gjykata Supreme, e cila automatikisht e përcakton përgjegjësinë tek shteti. Janë edhe paditë e para që Gjykata Administrative i ka miratuar, dhe tani Gjykata Administrative e konsideron shtetin si përgjegjës, si dhe komunat, për të siguruar ajrin e pastër dhe për të kryer të gjitha detyrimet që i parasheh Ligji i Mjedisit Jetësor, si dhe ligji për cilësinë e ajrit ambiental. Prandaj konsideroj se kjo është një temë mjaft aktuale dhe e rëndësishme për qytetarët tanë, në kuptimin se ajri i pastër është një të drejtë e njeriut, e konfirmuar edhe nga Rezoluta e vitit 2023 nga Asambleja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, tha Jeton Shasivari.

Ndërsa profesori Qufli Osmani, si psikolog, thekson rëndësinë e individit. Sipas tij, një shoqëri pa individë të fuqishëm nuk mund të ketë procese të mëdha, pasi individët janë ata që bartin përgjegjësi dhe, në funksione të caktuara, edhe reagojnë, duke bërë ndryshime të rëndësishme.

“Shoqëria pa individë të fuqishëm nuk mund të jetë e qëndrueshme, dhe shoqëria e brishtë prodhon individë të brishtë, të cilët marrin rolin e viktimës, rolin e aktorit pasiv, ose rolin e një protagonisti që familjarizohet me modele shoqërore të tilla siç i shohim në përgjithësi. Shoqërisë i nevojiten persona të orientuar dhe me diplomë, mendimtarë që dinë të mendojnë, të rezonojnë, të jenë jo rebelë, por që shmangin skenat e zakonshme që të gjithë i shohim dhe i kritikojmë, por që nuk sjellin asgjë reale apo konkrete”, deklaroi Qufli Osmani.

Në botë, si pasojë e ndotjes së ajrit, vdesin miliona njerëz. Ndërsa në Maqedoni, qytetet më të ndotura janë Shkupi dhe Tetova. Jo rrallë, këto dy qytete janë renditur në top dhjetë qytetet botërore me ajrin më të ndotur, sidomos gjatë periudhës së dimrit.