“Qytetarët duhet ta ndjejnë se pyeten”/A ka Qeveria strategji të komunikimit për propozimin francez?

TË FUNDIT

Emocionet të lihen anash dhe të zhvillohet debat i vërtetë mbi propozimin francez, thotë komunikologu Bojan Kordallov.

“Në kohë kur të gjithë luftojmë dhe luftuam për të jetuar në demokraci, është normale të ketë mendime të ndryshme. Por, Maqedonisë dhe Ballkanit i mungon që të debatohet në bazë të mendimit, e jo në bazë të frikës, sulmeve, shantazheve, trysnive, sepse ky nuk është debat, por debat i emocioneve”, tha Bojan Kordallov, komunikolog.

Por, sa e mirë është strategjia qeveritare e komunikimit, që propozimi francez të prezantohet para opinionit ashtu siç duhet?

“Nga kjo varet nëse do të bëjmë hap drejt BE-së ose jo. Të themi se kjo është teza të cilën Qeveria dëshiron ta vendosë, por këtë duhet ta thotë në mënyrë të qartë dhe qytetarët të dinë se cili është qëndrimi. Ne sot, dje, pardje, brenda kësaj periudhe në masë të madhe dëgjojmë politikanë rajonalë, evropianë dhe botërorë të cilët vijnë dhe na thonë se cili është avantazhi dhe nevoja, ta zgjidhim kontekstin në Bullgari dhe t’i nisim negociatat me BE-në”, deklaroi Bojan Kordallov, komunikolog.  

Kordallovi vlerëson se për momentin interesat partiakë vendosen jo vetëm mbi interesat shtetërorë, po edhe mbi ata evropianë dhe botërorë.

“Nuk po them se tani nuk e mbrojnë ose se nuk flasin qartë. Por, kjo duhet bërë në mënyrë edhe më të qartë, më direkte dhe më të fuqishme. Nëse zgjidhet skenari i parë, domethënë të thuhet: nuk kemi kohë, duhet ta pranojmë pasi…. sipas shembullit të Marrëveshjes së Prespës, le të zgjidhet, por nëse zgjidhet skenari i dytë le të thonë: tani duhet sepse ka kriza në botë, le të zgjidhet ky. Por, duhet thënë qartësisht dhe të dilet me këtë argument”, theksoi Bojan Kordallov, komunikolog.  

Sipas Kordallovit gjëja më e keqe është se gjithmonë pushteti dhe opozita kanë qëndrime të ndara për një çështje të njëjtë.

“Qytetarët duhet të ndjejnë se janë pyetur, se po vendosin, e jo të ndjejnë se dikush u imponon diçka. Madje edhe propozimi më i mirë, edhe gjëja më e mirë që imponohet, krijon ndjenjë të pakëndshme”, tha Bojan Kordallov, komunikolog.  

Së fundmi Qeveria zhvilloi një sërë konsultimesh me opinionin, ekspertët, organizatat joqeveritare, por nuk solli asnjë vendim, prandaj këtë detyrë e la në duart e Kuvendit.