Rreth 160 mijë persona mbetën pa ngrohje në Mariupolin e rrethuar, informoi kryetari Vadim Bojçenko. Bëri thirrje për evakuim të plotë. Disa banorë janë evakuuar përmes korridoreve humanitare, por shumica janë ngujuar në qytet. Banorët e Mariupolit, që është cak i rëndësishëm i forcave ruse, kanë mungesë të ushqimit, ujit dhe barnave. Sipas Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, ende nuk mund të dërgohet ndihmë në qytet.
Nga ana tjetër, dhjetëra mijëra civilë janë robëruar në Çernihov, të lënë pa gaz, ujë dhe pa energji elektrike, pas një muaji luftime të rënda. Çernihov, që ndodhet në brigjet e lumit Desna, ishte në mesin e qyteteve ukrainase të sulmuara nga trupat ruse. “Nuk ekziston dalje e sigurt”, deklaroi për BBC gurvernatori i Çernihovit, Vlladisllav Çaus.
E kur bëhet fjalë për korridore humanitare, është kumtuar se nuk do të hapen të tilla, pasi që informatat zbuluese ukrainase flasin për “provokime” të mundshme ruse përgjatë evakuimit.
Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se 1,119 civilë janë vrarë dhe 1,790 janë plagosur që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Numri real i viktimave megjithatë konsiderohet të jetë më i lartë. Sipas OKB-së, mbi dhjetë milionë persona janë zhvendosur për shkak të dhunës. Gjithsej 143 fëmijë janë vrarë, ndërsa 216 janë lënduar prej fillimit të pushtimit ushtarak rus në Ukrainë, kumtoi komisarja për të drejta të njeriut në Ukrainë, Ljudmilla Denisova.
Sa u përket bisedimeve, rundi i ri mes Ukrainës dhe Rusisë prite të mbahet në Turqi nga 28 deri më 30 mars, tha negociatori ukrainas, David Arakhamia. Ky do të jetë rundi i dytë i bisedimeve midis palëve që do të mbahet në Turqi. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha se ekziston mundësia dhe nevoja për një takim në katër sy në Turqi dhe se kjo “nuk është keq”.
“Një raund i ri negociatash po vjen, sepse ne po përpiqemi për paqe, në të vërtetë, pa shtyrje. Siç u informova, ekziston mundësia dhe nevoja për një takim në katër sy në Turqi. Kjo nuk është keq. Le të shohim rezultatin. Prioritetet tona në negociata dihen. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës janë të padiskutueshëm. Qëllimi ynë është i qartë – paqe dhe kthim sa më të shpejtë në jetën normale në vendin tonë”, tha Zelenski.
Sa u përket luftemeve, inteligjenca ushtarake ukrainase thotë se Rusia po përpiqet që ta ndajë Ukrainën në dy pjesë, duke krijuar një rajon të kontrolluar nga Moska, pasi dështoi që ta pushtojë të gjithë vendin tha. Rajoni lindor ukrainas, Luhansk, që kontrollohet nga separatistët e mbështetur nga Rusia, mund të mbajë një referendum për t’iu bashkuar Rusisë. Ukraina tha se ka zmbrapsur pesë sulme ruse në rajonet lindore Donjeck dhe Luhansk, teksa Ministria britanike e Mbrojtjes, tha se rusët nuk kanë bërë përparim gjatë 24 orëve të fundit./TV21
