Pas kërcënimeve të ministres bullgare, Ekaterina Zaharieva se Bullgaria mund të tërhiqet nga puna e komisionit të përbashkët nëse nuk konstatohet se Goce Dellçev është bullgar, zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Hoxha, tha se shpresojnë se komisioni do të dal me zgjidhje që do të jetë në drejtim të fqinjësisë së mirë dhe miqësisë.
“Ne shpresojmë që komisioni i cili është formuar ndërmjet dy Qeverive në bazë të marrëveshjes për miqësi të mirë do të gjej zgjidhje në drejtim të miqësisë mirë mes dy vendeve”, u shpreh zëdhënësi i Qeverisë, Muhamed Hoxha.
Nuk do të bëjmë kompromis me të vërtetën. Nga Maqedonia e Veriut nuk duam asgjë më shumë se e vërteta, tha ministrja bullgare për punë të jashtme, Ekaterina Zaharieva, me rastin e mospranimit të komisionit bullgar për përkujtimin e përbashkët të Goce Dellçevit, më datë 7 tetor.
“Të mos harrojmë se kryeministri Zoran Zaev ishte këtu më 4 shkurt dhe së bashku me kryeministrin tonë përkujtuan Goce Dellçevin, në ditën e lindjes së tij. Të ju tregoj, pjesa më e madhe e bullgarëve nuk kanë dëgjuar për atë datë (7 tetorin), që ne mundohemi ta harrojmë. Kjo është një nga tradhtitë më të mëdha që është bërë nga partia komuniste bullgare, kur pas vitit 1944 nën presion të Titos dhe Stalinit i pranuan maqedonasit si bullgar dhe në vitin 1946, më 7 apo 8 tetor ndodhi kjo. Ne tallemi se si mund të festojmë-përkujtojmë një nga tradhtitë më të mëdha ndaj Bullgarisë. Si mund të prezantohet – propozohet një gjë e tillë”, deklaroi ministrja bullgare për Punë të Jashtme, Ektarina Zaharieva.
Në suaza të programit të Komisionit ndërqeveritar, janë paraparë takime të homologëve nga dikasteret e ekonomisë, mbrojtjes, vetëqeverisjes lokale, arsimit dhe shkencës, transportit dhe lidhjes. Kjo bëhet me qëllim që të shihet përparimi i bërë në Marrëveshjen për miqësi dhe fqinjësi të mirë i nënshkruar mes dy vendeve më 1 gusht të vitit 2017.
Bullgaria propozon që përkujtimi i Goce Dellçevit të bëhet më 4 shkurt, në ditën e lindjes, ndërsa pala maqedonase, siç thotë Zaharieva, propozon 7 tetorin, ditën kur eshtrat e Goce Dellçevit janë sjellë në Shkup. Kjo është miratuar nga presidenti i atëhershëm bullgar, Georgi Dimitrov. Për Bullgarinë kjo datë është e papranueshme. Në shenjë respekti, arkivoli në këmbë përmes Sofjes, Strumicës dhe Shtipit është sjellë në Shkup. Më 10 tetor, Goce Dellçev është varrosur në rrethin e kishës së vjetër në Shkup – “Shën Shpëtimi”.
Përgatiti: Edin Rastoder
