Në Qeveri ende nuk kanë arritur zyrtarisht të gjitha dorëheqjet e ministrave të BDI-së. Nga atje për TV21 thonë se në momentin kur do të kompletohen të gjitha, opinioni do të njoftohet. Dorëheqjet, sic njoftoi dje kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, do të materializohen me automatizëm në momentin kur opozita të votojë ndryshimet kushtetuese.
E këto paralajmërime për dorëheqje nuk u cilësuan aq të sinqerta nga subjektet tjera dhe aktorët tjerë politikë. I ftuar në SummerClick, edhe Arjanit Hoxha i cili deri tani kishte postin e zv.kryetarit në Lëvizjen Besa, thotë se po t’i pyesim ministrat e BDI-së, nuk beson se do të ishin të gatshëm të lëshojnë postet e tyre.
“Tash nuk e di a e kanë me gjithë mend ose jo por nëse ndodhin ndryshimet kushtetuese do të ishte fatale për BDI-në nëse nuk eksekutohen ato vendime apo ato dorëheqje. Nëse i pyetni ministrat, nuk besoj se janë të gatshëm t’i lirojnë vendet sepse është krijuar një komoditet shumëvjeçar dhe nuk janë të gatshëm ta prishin atë komoditet dhe këto kanë qenë kritika të cilat edhe në të kaluarën edhe sot i adresoj”, tha Hoxha.
Nga Lëvizja e re e Izet Mexhitit thanë se dorëheqje do të japin për krimet e tyre e jo për ndryshimet kushtetuese.
“Dorëheqje do të jepni për skandalet korruptive, për listat e zeza, për kazinot, për keqpërdorime. Gjithçka tjetër është teatër”, vlerëson Mexhiti.
Edhe nga Alternativa këto dorëheqje i quajnë si dyfytyrësi e Ahmetit e Grubit dhe tentim për defokusim të opinionit.
“Dyfytyrësia e sotme e Ahmetit, Grubit dhe klaneve të tyre dëshmon për disa gjëra. E para, se shumica parlamentare është shumë larg nga 2/3 e shumicës për ndryshimet e dëshiruara kushtetuese. E dyta, Ahmeti, Grubi dhe klanet e tyre dëshmuan se janë në panik për atë që pason. E treta, pas një skenari të PR-it të heroizmit të rrejshëm, tashmë të parë, sikurse “Pse jo”, përsëri po tentojnë që ta defokusojnë opinionin nga njollat e tyre korruptive dhe politike”, thonë nga Alternativa.
Reagim kishte edhe nga Lidhja Demokratike. Sipas tyre, ky veprim i BDI-së është një blof klasik dhe i njohur.
