Qeveria miratoi versionin final të Ligji për Arsimin e Lartë dhe në të, siç thotë zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali, janë përfshirë të gjitha sugjerimet e universiteteve në gjuhën shqipe. Ai thekson se me këtë draft janë adresuar çështjet kryesore të ngritura nga komuniteti akademik dhe se është garantuar që asnjë i punësuar nuk do të largohet nga puna.
“Përfundimisht kemi arritur suksesin që të kemi një ligj të rafinuar mirë dhe që do t’i përgjigjet të gjitha nevojave të arsimit të lartë në periudhën ardhshme, ajo nënkupton marrëveshjen… ose një pikë e rëndësishme, që ka qenë si shqetësim te punonjësit akademikë, heqja e indeksit “H”, i cili do të ishte në të kaluarën kriter bazë për zgjedhjet akademike apo avancimet akademike. Natyrisht këtu kemi garantuar edhe të punësuarit në universitetet tona se asnjë i punësuar nuk do të largohet nga vendi i punës”, tha Bekim Sali – zv/kryeministër i parë.
Opozita shqiptare nuk e mbështet këtë propozim-ligj! Deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli, thotë se vërejtjet nuk janë adresuar plotësisht dhe se po krijohet një eufori e panevojshme në rrjetet sociale.
“Mendoj se është një eufori, të cilën ato po e bëjnë jehonë nëpër rrjetet sociale. Mendoj që arritja për ta mënjanuar H indeksin është një shkas për t’u tërhequr vëmendja për probleme serioze të këtij propozim ligji, që kanë të bëjnë si me autonominë financiare, po ashtu edhe me centralizimin e vendimmarrjes”, u shpreh Arbana Pasholli – deputete e BDI-së .
Ligji për Arsimin e Lartë pritet të dorëzohet në Kuvend për shqyrtim nga deputetët.
Edhe pse propozim-ligji i mbështet nga rektorë të universiteteve publike dhe private, ai edhe pasi u përmirësua, ka hasur në reagime nga bota akademike, e cila shpreh shqetësime serioze se propozim-ligji rrezikon autonominë universitare, duke i dhënë Qeverisë ndikim më të madh në vendimmarrje, veçanërisht në emërimet dhe menaxhimin institucional. Profesorë dhe ekspertë theksojnë se kjo mund të politizojë universitetet dhe të dobësojë pavarësinë akademike. Kritikat e tjera kanë të bëjnë me cilësinë e arsimit, aspektet financiare por edhe për mungesë transparence dhe përfshirjeje në procesin e hartimit.
