Qeveria do të ndjekë një rrugë më të vështirë drejt Bashkimi Evropian, duke refuzuar kompromise që i konsideron poshtëruese për shtetin dhe identitetin kombëtar, u shpreh Kryeministri Hristijan Mickoski në Samitin 2026 të organizuar nga “Maqedonia 2025”. Ai theksoi se anëtarësimi në BE duhet të fitohet përmes reformave, cilësisë dhe rezultateve konkrete, e jo përmes “nënshkrimit të letrave të bardha” që, sipas tij, krijojnë probleme për gjeneratat e ardhshme.
“Qeveria që unë udhëheq ka qasje të ndryshme krahasuar me qeverinë paraprake. Ne vlerësojmë se nuk ka rrugë më të shkurtër. Përkatësisht ka, por ajo rrugë ka sfidat e veta. Më së shpeshti ato sfida janë poshtëruese. Dhe për këtë themi: nëse duhet të ecim në rrugën më të vështirë, do të ecim në atë rrugë, por atë vend do ta meritojmë me cilësi dhe rezultate, e jo duke nënshkruar fletë të bardha letre, sepse ato, në fund, krijojnë probleme për gjeneratat e ardhshme”, tha krymeinistri Mickoski.
Mickoski tha se mbështetja e qytetarëve për integrimin evropian mbetet stabile, edhe pse procesi i gjatë ka shkaktuar frustrim. Ai shtoi se Maqedonia ka realizuar 16 nga 21 indikatorët e Agjendës së Reformave dhe është ndër vendet më të suksesshme të Ballkanit Perëndimor në këtë proces.
“Lidhur me zbatimin e Agjendës së Reformave në janar, nga 21 indikatorë, 16 janë përfunduar me sukses dhe për periudhën aktuale të matjes vendi është më i miri në grupin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, shtoi ai.
Sipas kryeministrit, vendi duhet të vazhdojë të dëshmojë rezultate dhe cilësi për të merituar vendin në BE, pa pranuar kushte të reja që lidhen me identitetin, Kushtetutën apo çështje të tjera kombëtare.
