Qeveria miratoi vendim për vazhdimin e afatit gjendjes së krizës për shkak të mundësisë së çrregullimeve në furnizimin me naftë dhe derivate të naftës. Gjendja e krizës zgjatet nga 21 korriku deri më 20 tetor, me çka, siç thonë nga Qeveria, sigurohet vazhdimësia në veprimin institucional dhe ndërmarrja në kohë e masave nëse ndodhin çrregullime në furnizim ose goditje të konsiderueshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare të naftës dhe derivateve të saj. Pas harmonizimit të vendimit në kuadër të procedurave qeveritare, ai do t’i dërgohet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim, në përputhje me kompetencat ligjore.
“Qëllimi i këtij vendimi është që Qeveria të ketë në dispozicion një mekanizëm të përshtatshëm juridik për reagim të shpejtë dhe efikas, me qëllim ruajtjen e stabilitetit në furnizim, zbutjen e pasojave nga çrregullimet e mundshme në treg dhe mbrojtjen e interesave dhe standardit jetësor të qytetarëve dhe ekonomisë”, thonë nga Qeveria.
Gjatë dhjetë ditëve të fundit, çmimi i naftës në bursat botërore është rritur sërish. Nafta e tipit Brent, me të cilën furnizohet edhe Maqedonia, ka kaluar 80 dollarë për fuçi, ndërsa arsyeja është rinisja e konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit. Pas disa ditësh armëpushim, pasuan sulme të reja dhe ndërprerje të qarkullimit të anijeve në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e konsumit botëror të naftës. Të hënën e kaluar çmimi i dizelit në vend u rrit me 5,5 denarë për litër, ndërsa duke pasur parasysh rritjet në bursat botërore, pritet që edhe të hënën e ardhshme çmimi të vazhdojë të rritet.
Pikërisht rritja e çmimit të derivateve të naftës ka ndikuar edhe në rritjen e çmimeve në shitjen e ushqimit me pakicë në Maqedoni. Megjithatë, në këtë fushë nuk do të ketë masa, të paktën kështu deklaroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
“E kemi kontrolluar të gjithë zinxhirin me radhë, nga prodhuesi dhe distributori e deri te tregtarët me pakicë. Kontrollet janë kryer nga maji i vitit 2025 deri në maj të vitit 2026 dhe çmimet hyrëse, pra ato me të cilat i kanë furnizuar produktet, janë rritur për 2,66%, ndërsa çmimet e shitjes janë rritur për 4,56%. Përfundimi i kontrolleve është se ata tregtarë që kanë bërë shitje me pakicë në periudhën kur çmimet hyrëse janë ulur, nuk i kanë ulur edhe çmimet e shitjes, dhe bëhet fjalë për një rritje prej 4,56%”, tha Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë.
Ai paralajmëroi se nëse evidentohen sjellje devijuese ose rritje të pajustifikuara të çmimeve, institucionet do të ndërhyjnë me masat përkatëse. Durmishi njëkohësisht njoftoi se të hënën do të zhvillojnë takim me prodhuesit dhe distributorët e produkteve ushqimore dhe joushqimore.
