Qeveria dhe maturantët arritën marrëveshje!

TË FUNDIT

Me maska në fytyrë, por vërehej se ishin të buzëqeshur pasi kishin arritur marrëveshje për maturën shtetërore.

E për ta dhënë lajmin e mirë, i pari foli kryeministri Zaev, i cili në këtë mot të ftohtë po qëndronte pa pallto.

Ai tha se do të shpalosë vetëm pikët kryesore.

“U morëm vesh për dy provime eksterne, ndërsa për provimin e tretë ekstern u morëm vesh që të transformohet në provim intern. Kështu asnjë maturant nuk do të ketë problem të regjistrohet në universitete vendore dhe të jashtme. U morëm vesh që të formohet një grup pune mes Byrosë për Zhvillim të Arsimit dhe Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme e cila do të vendos për shkurtim të programeve për provimet eksterne”, tha Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Pikat tjera të marrëveshjes i deklaroi vetë kryetari I UNSHM-së, Blendi Hodai, por përderisa bëhej gati për fjalimin e tij, nga xhepi i ra një letër, e për t’ia kthyer u kujdes kryeministri.

 “Mësimdhënësit duhet të ndajnë materialet e provimit intern dhe bazën me pyetje jo më vonë se 3 javë para ditës së provimit. Baza me pyetje të paktën duhet të përmbajë 60 e më së shumti 100 pyetje. Rritja e koeficientit të provimit ekstern joadekuat  nga 0.5 në 0.9, respektivisht nga 5 pikë në 9”, theksoi Blendi Hodai – Kryetar i UNSHM-së.

Për shkak se konferenca mbahej në ambient të hapur, Zaev nuk i dëgjonte mirë pyetjet e gazetarëve nga larg, e për këtë iu afrohej gazetarëve nga afër që t’i dëgjoj.

 “Nuk ju dëgjoj. Do të vij më afër…”, u shpreh Zaev.

Ndryshe pjesë e marrëveshjes së arritur është edhe provimi i parë ekstern (gjuha amtare) të konsiderohet adekuat për të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend. Qendra Shtetërore e Provimit do të kthejë provimin në lëndët estetikë/filozofi si provimin e dytë ekstern në shkollat ​​e mesme të artit. Universitetet të publikojnë se cila nga lista e lëndëve interne është adekuate për programet e tyre të studimit.

Me qëllim që maturantët të kenë mundësi t’i ndryshojnë provimet e paraqitura, do të kenë hapësirë përsëri t’i paraqesin të njëjtat. Afati i fundit për ndryshime eventuale është dita e hënë, 5 mars. Matura do të fillojë një javë më vonë, jo nga 29 maji siç ka qenë, por me fillim nga 5 qershori.